Izraeli sulmon bazat ushtarake të Iranit në Siri

Azia

Izraeli sulmon bazat ushtarake të Iranit në Siri

Më: 25 gusht 2019 Në ora: 11:46
Benjamin Netanyahu

Forcat izraelite kanë kryer sulme ndaj bazave ushtarake të Iranit në Siri për ta parandaluar atë që e ka quajtur sulm të planifikuar me dron nga Irani.

Ushtria e Izraelit rrallë pranon se ka kryer operacione në Siri, por të shtunën tha se përmes sulmeve ajrore e ka parandaluar një sulm që do të realizohej me dron vrasës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e vlerësoi lart operacionin e ushtrisë.

Besohet se Izraeli ka kryer qindra sulme në Siri që nga fillimi i luftës civile në këtë shtet në vitin 2011 në përpjekje për t’ia pamundësuar Iranit shtrirjen e ndikimit në këtë vend.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se këto sulme i kishin cak forcat speciale iraniane, të njohur si “kudsët”, në Aqraba, qytet që shtrihet në juglindje të kryeqytetit të Sirisë, Damaskut.

Në anën tjetër, një burim i ushtrisë siriane tha se sistemi i mbrojtjes ajrore i ka hetuar raketat që vinin drejt afërsisë së Damaskut. “Sulmi ka marrë menjëherë kundërpërgjigje dhe shumica e raketave të armikut janë shkatërruar para se të arrinin në cak”, tha ky burim.

Zyrtarët e Hezbollahut thanë se një dron ka rënë mbi kulmin e një qendre mediale dhe më pas një dron tjetër ka shpërthyer në ajër dhe është rrëzuar në afërsi të kësaj qendre, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat