Përsëri protesta në Hong Kong

Azia

Përsëri protesta në Hong Kong

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 11:33
Hong Kong

Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Hong Kongut për ta shënuar përvjetorin e vendimit të Kinës për kufizimin e reformave demokratike në territorin gjysmautonom, pavarësisht vendimit të policisë për t’i ndaluar tubimet publike.

Hong Kongu po përgatitet për një fundjave tjetër të protestave masive pas një vale arrestimesh të aktivistëve që po kërkojnë nga pushteti që ta mbrojë demokracinë. Pas arrestimeve, organizatorët e anuluan marshin e madh të planifikuar për të shtunën pasdite.

Pavarësisht anulimit, mijëra protestues dolën në rrugë në mot me shi, duke shkaktuar bllokim të rrugëve. Shumë prej tyre ishin të veshur vetëm me rroba të zeza, të cilat janë bërë jozyrtarisht uniformë e protestuesve. Në mesin e protestuesve kishte edhe fëmijë dhe persona të moshuar.

Kjo është fundjava e 13-të me radhë e protestave në Hong Kong. Ato u nxitën nga projektligji për ekstradimin e qytetarëve në Kinë. Autoritetet lokale, të mbështetura nga Pekini, i nisën arrestimet masive të protestuesve, përfshirë edhe figurat e njohura të kryengritjes.

Disa përballje të policisë me protestuesit kanë qenë të dhunshme dhe policia i ka rrahur protestuesit. Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka paralajmëruar se do ta sjellë një ligj që ia jep të drejtën qeverisë për t’i shtypur protestat, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat