Koalicioni i udhëhequr nga sauditët kryen sulme ndaj rebelëve Huthi

Azia

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët kryen sulme ndaj rebelëve Huthi

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët në Jemen, tha sot se ka nisur sulme ajrore ndaj rebelëve Huthi në jug të kryeqytetit Sanaa, sulme të cilat, sipas rebelëve kanë vrarë dhjetëra persona.

Sulmet kanë goditur një qendër të ndalimit në qytetin Dhamar, duke vrarë të paktën 60 njerëz, thanë rebelët Huthi.

“Gjashtëdhjetë trupa janë nxjerrë nga rrënojat dhe 50 persona të tjerë janë plagosur”, njoftoi televizioni al-Masirah, një media pro rebelëve Huthi.

Franz Rauchenstein, kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Jemen, tha se po niset drejt Dhamar për të parë nga afër situatën.

“Ne i marrim me seriozitet këto raportime. Unë jam duke shtuar në Dhamar, për të parë situatën”, tha ai.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se ka goditur një ndërtesë të rebelëve Huthi në Dhamar, që përdorej si depo për raketa dhe dronë nga rebelët, “në përputhje me ligjet humanitare ndërkombëtare”.

Koalicioni tha se ka ndërmarrë masa për të mbrojtur civilët nga këto sulme.

Luftimet në Jemen kanë lënë të vrarë rreth 10 mijë persona, shumica prej tyre civilë, që prej se Arabia Saudite dhe shtetet e tjera sunite arabe, kanë nisur fushatën ushtarake në mars të vitit 2015.

Shumica e viktimave kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të koalicionit.

Në total, ky konflikt ka bërë që 22 milionë njerëz të kenë nevojë për ndihma humanitare, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat