Irani do të përshpejtojë pasurimin e uraniumit

Azia

Irani do të përshpejtojë pasurimin e uraniumit

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 12:12
Presidenti iranian, Hassan Rohani gjatë një vizite në centralin bërthamor Bushehr. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të nisë këtë javë zhvillimin e centrifugave, për të përshpejtuar pasurimin e uraniumit.

“Do të hulumtojmë dhe zhvillojmë lloje të ndryshme të centrifugave dhe çfarëdo që është e nevojshme për pasurimin e uraniumit në një mënyrë të përshpejtuar”, tha Rohani.

“Të gjitha kufizimet në kërkimet dhe zhvillimet tona do të hiqen të premten”, tha ai.

Iranit i janë vënë kufizime në programin bërthamor me një marrëveshje të arritur në vitin 2015 midis tij dhe fuqive botërore. Në këmbim të kufizimeve, Iranit i janë hequr disa sanksione dhe i është dhënë qasje në tregtinë botërore.

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga kjo marrëveshje, duke thënë se nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm sa për të penguar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.

Që atëherë, Uashingtoni ka vënë sanksione të ashpra mbi ekonominë e Iranit, ndërsa ky i fundit ka nisur të shkelë kufizimet e përcaktuara me marrëveshjen bërthamore.

Republika Islamike po ashtu ka kërcënuar me shkelje të mëtejshme nga 5 shtatori, nëse nënshkrueset evropiane të marrëveshjes – Franca, Gjermania dhe Britania – nuk gjejnë mënyra për të ndihmuar ekonominë e Iranit.

Në një fjalim televiziv, Rohani tha se Irani do t’i japë Evropës edhe dy muaj kohë për të zbatuar plotësisht kushtet e marrëveshjes. Nëse kjo ndodh, Teherani do t’i kthehet po ashtu zbatimit të marrëveshjes, tha Rohani.

Centrifuga është pajisje që pasuron uraniumin. Uraniumi i pasuruar nga 3 deri në 5% mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për termocentralet bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është 90% i pasuruar ose më shumë.

Irani këmbëngul se nuk është përpjekur kurrë të zhvillojë armë bërthamore – siç pretendon bashkësia ndërkombëtare – porse dëshiron të gjenerojë energji elektrike.

Njoftimi i tij i fundit vjen në kohën e bisedimeve intensive midis Iranit, Francës dhe Rusisë për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Sipas disa raporteve, Franca është e gatshme t’i ofrojë Iranit 15 miliardë dollarë kredi deri në fund të vitit – të garantuara me naftë – me kusht që Teherani t’iu kthehet kushteve të marrëveshjes.

Por, Brian Hook, koordinator i Departamentit amerikan të Shtetit për Iranin, përjashtoi mundësinë e lehtësimit të ndonjë prej sanksioneve për të akomoduar propozimin e Francës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sërish nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me homologun iranian.

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë rreth gjasave që një takim i tillë të ndodhë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj në Nju Jork, Trump tha:

“Sigurisht, çdo gjë është e mundur. Ata duan të jenë në gjendje të zgjidhin problemin e tyre. Ata kanë problem të madh. Ata po vriten financiarisht”, tha Trump.

Rohani, megjithatë, ka thënë se nuk do të ketë kurrë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat