Talibanët: SHBA-ja humb më shumë nga anulimi i bisedimeve - Bota Sot
Talibanët: SHBA-ja humb më shumë nga anulimi i bisedimeve

Azia

Talibanët: SHBA-ja humb më shumë nga anulimi i bisedimeve

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 14:35
Militantët talibanë në Afganistan. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët në Afganistan kanë lënë derën e hapur për bisedime të reja, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar një samit të fshehtë.

Uashingtoni ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në luftime kundër militantëve, pasi presidenti Trump ka arsyetuar anulimin e takimit me një sulm të talibanëve që ka lënë të vrarë një ushtar amerikan.

Trump ka thënë se ai ka ftuar liderët talibanë dhe presidentin afgan, Ashraf Ghani për të biseduar të dielën në Kampin presidencial David, rreth draftit të marrëveshjes që parasheh tërheqjen e mijëra trupave të SHBA-së nga Afganistani, për t’i dhënë fund luftës më të gjatë ku janë përfshirë forcat amerikane.

*Expose: Fundi i luftës më të gjatë amerikane?!

Në një seri të intervistave televizive, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo nuk ka hedhur poshtë kthimin e bisedimeve, mirëpo ka thënë se SHBA-ja ka nevojë për një “përkushtim më të madh” të talibanëve.

“Unë nuk jam pesimist. Unë kam parë talibanët duke bërë gjëra dhe duke dhënë deklarata që nuk u janë lejuar më parë”, ka thënë ai për transmetuesin amerikan NBC.

“Unë shpresoj se talibanët do ta ndryshojnë qasjen dhe do të rikthejnë përkushtimin për gjërat që i kemi biseduar për muaj”, ka thënë ai më pas në ABC.

“Në fund, kjo gjë do të zgjidhet në një seri të bisedimeve”, ka shtuar ai, duke iu bërë thirrje talibanëve që të heqin dorë nga refuzimi afatgjatë për të negociuar me qeverinë e Ghanit të njohur ndërkombëtarisht.

Ai ka thënë se Trump nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë përpara planin për tërheqje të trupave, pasi sipas marrëveshjes, parashihet që 5,000 nga 13,000 trupat amerikane do të largohen nga Afganistani vitin e ardhshëm.

Mirëpo Pompeo ka paralajmëruar se SHBA-ja “nuk do të zvogëlojë presionin” ndaj talibanëve, duke thënë se forcat amerikane kanë vrarë më shumë se 1,000 kryengritës vetëm në 10 ditët e fundit.

“Amerikanët do të dëmtohen”

I dërguari special i SHBA-së në Afganistan, Zalmay Khalilzad, i cili ka kaluar një vit duke negociuar me talibanët, ka thënë se Trump “nuk ka treguar as përvojë as durim”.

“Amerikanët do të dëmtohen më shumë se çdokush tjetër” nga vendimi i Trumpit, është thënë në një deklaratë të zëdhënësit të talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Mirëpo ai ka shtuar se talibanët ende besojnë se “pala amerikane do të kthehet sërish” në negociata dhe do të kërkojë “dhënien fund të pushtimit”.

Zyra presidentit afgan, Ashraf Ghani, qeveria e të cilit konsiderohet e paligjshme nga talibanët, ka përshëndetur vazhdimisht “përpjekjet e sinqerta të aleatëve”, pasi Trump ka anuluar samitin, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

Në deklaratën e presidencës afgane është thënë edhe se “paqja reale mund të arrihet nëse talibanët u japin fund vrasjeve të afganëve, pranojnë armëpushimin dhe bisedimet e drejtpërdrejta me qeverinë afgane”.

Kritika para 11 shtatorit

Trump edhe më parë ka bërë propozime dramatike, siç është takimi me liderin verikorean, Kim Jong Un, mirëpo ideja e ftesës së liderëve talibanë në tokën amerikane ka shokuar Uashingtonin.

Bisedimet që ishte planifikuar të ndodhnin kanë zemëruar edhe disa aleatë të vetë Trumpit, i cili ka thënë se talibanët do të kishin vizituar SHBA-në tre ditë para përvjetorit të 18-të të sulmeve të 11 shtatorit, të cilat kanë nxitur intervenimin amerikan në Afganistan.

“Kampi David është vendi ku liderët amerikanë janë takuar për të planifikuar përgjigjen tonë pasi Al-Kaida, e mbështetur nga talibanët ka vrarë 3,000 amerikanë më 11 shtator. Asnjë anëtar i talibanëve nuk duhet të vendosë hapin aty. Kurrë”, ka thënë kongresistja republikane, Liz Cheney, njëherësh vajza e ish nën-presidentit amerikan, Dick Cheney.

Disa kanë thënë se kanë dilema nëse një takim i tillë është planifikuar ndonjëherë.

“Unë ende po kërkoj konfirmim të takimit për në Kampin David”, ka thënë kandidati demokrat për president, Julian Castro.

“Është shumë e çuditshme ftesa ndaj një organizate terroriste në Kampin David”, ka shtuar ai.

Islamabadi në anën tjetër u ka bërë thirrje të dyja palëve që të “arrijnë një marrëveshje për paqe”.

Shteti tjetër fqinj i Afganistanit, Irani, që historikisht ka kundërshtuar talibanët dhe ka marrëdhënie të tensionuara me SHBA-në, ka thënë se është “shumë i shqetësuar”.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se “të huajt e mposhtur duhet të largohen dhe vëllavrasja duhet të marrë fund, pasi të huajt mund të shfrytëzojnë situatën, duke rikthyer sulmet e përgjakshme”.

Gati 3,500 anëtarë të forcave të koalicionit ndërkombëtar kanë vdekur në Afganistan nga viti 2001, derisa rreth 2,300 kanë qenë amerikanë. Në një raport të Kombeve të Bashkuara, të publikuar në shkurt të vitit 2019, është thënë që më shumë se 32 mijë civilë afganë kanë vdekur gjatë kësaj periudhe./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...