Netanyahu zotohet se do të aneksojë pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor

Azia

Netanyahu zotohet se do të aneksojë pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 09:21
Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se do t’i aneksojë disa pjesë të mëdha të territoreve të pushtuara palestineze, nëse rizgjidhet në postin e shefit të qeverisë. Ky skenar është cilësuar si fund i aspiratave të palestinezëve për ta pasur shtetin e tyre.

Netanyahu tha të martën se planifikon ta marrë këtë vendim pas zgjedhjeve të javës së ardhshme dhe la të kuptohet se veprimi i tij mund të miratohet nga Uashingtoni. Sipas planit të tij, Izraeli do ta pushtojë rreth një të tretën e territorit të Bregut Perëndimor.

“Pres që ta bëj këtë në koordinim maksimal me Donald Trump-in”, tha ai gjatë një fjalimi që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin publik izraelit.

Kryeministri izraelit tha se presidenti amerikan ka mundësi që së shpejti ta publikojë planin e tij të shumëpritur për paqe në Lindjen e Mesme. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ky plan nuk e parasheh krijimin e shtetit palestinez, për të cilin Netanyahu ka premtuar se kurrë nuk do ta lejojë të bëhet.

Netanyahu, kryeministri me mandatin më të gjatë në histori të këtij shteti, është duke luftuar për mbijetesë politike dhe prezantimi i planit për Bregun Perëndimor po shihet si premtim zgjedhor në politikën e tij të djathtë, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat