Irani lejon largimin e çisternës detare "Stena Impero"

Azia

Irani lejon largimin e çisternës detare "Stena Impero"

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 17:36
"Stena Impero"

Irani lejoi të premten lundrimin e anijës-çisternë “Stena Impero” me flamur britanik, e konfiskuar nga Teherani në muajin korrik.

Anija u ndalua nga Roja Revolucionare Iraniane në ngushticën e Hormuzit me pretendimin se kishte shkelur marrëveshtjet detare. Ngjarja ndodhi dy javë pasi Britania kishte ndaluar një anije-çisternë iraniane pranë territorit të Gjibraltarit, të cilën e lëshoi më pas në muajin gusht.

“Stena Impero” po udhëton drejt portit Rashid në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të mërkurën ministria e Jashtme e Iranit pati njoftuar se megjithë miratimin e një urdhri për të lejuar anijen britanike që të lundrojë, hetimet do të vazhdojnë.

Pronari i anijes tha se nuk kishte negociuar me autoritet iraniane dhe se nuk ishte në dijeni të ndonjë akuze zyrtare kundër ekuipazhit apo kompanisë.

Irani kishte liruar ditë më parë shtatë nga 23 anëtarët e ekuipazhit të anijes.

Konfiskimi më 19 korrik nga Irani i anijes-çisternë “Stena Impero” riktheu tensionet në rajon pas sulmeve në maj dhe qershor ndaj anijeve të tjera tregtare në ujërat e Gjirit Persik për të cilat Uashingtoni ka fajësuar Teheranin. Irani ka mohuar çdo përgjegjësi mbi këtë sulme.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u tensionuan edhe më shumë pas tërheqjes vitin e kaluar të Uashingtonit nga marrëveshja botërore që synon të ndalojë programin bërthamor të Teheranit. SHBA-ja ka rivendosur sanksione ndaj Iranit me qëllimin për të ndaluar eksportin e naftës iraniane./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat