Shkon në 66 numri i viktimave të tajfunit në Japoni

Azia

Shkon në 66 numri i viktimave të tajfunit në Japoni

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 10:53
Foto

Numri i viktimave të tajfunit më të rëndë që e ka goditur Japoninë në dekadat e fundit ka shkuar në 66 të martën. Ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet nën rrënoja dhe baltë për njerëzit e zhdukur. Ndryshe, mijëra shtëpi kanë mbetur pa furnizim me rrymë dhe ujë.

Pesëmbëdhjetë persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur tri ditë pasi tajfuni “Hagibis” i goditi pjesët qendrore dhe lindore të Japonisë. Për më tepër, më shumë se 200 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme nga stuhia që solli erëra të fuqishme.

Numri më i madh i viktimave u shënua në rajonin e Fukushimës, në veri të Tokios, ku 25 persona e humbën jetën. Në mesin e personave të vdekur janë edhe një grua me fëmijën e saj, të cilët u mbytën në ujin e vërshimeve. Fëmija tjetër i kësaj gruaje është zhdukur.

“Lumi asnjëherë nuk ka shkaktuar vërshime të tilla më parë. Disa shtëpi janë zhdukur plotësisht. Mendoj se hartat e rrezikut duhet të hartohen përsëri dhe të ketë plane të reja për evakuim”, tha Masaharu Ishizawa, mësues 26 vjeç, i cili po e pastronte shtëpinë nga uji dhe mbetjet e vërshimeve.

“Nuk kemi parë dëme të këtilla kurrë më parë. Ndoshta ngrohja globale dhe ndryshimet në mjedis kanë ndikuar diç në tërë këtë”, shtoi i riu japonez.

Dëme kanë raportuar edhe kompanitë e mëdha japoneze. Kompania për prodhimin e pajisjeve elektronike, Panasonic, tha se vërshimet ia kanë dëmtuar fabrikën në një park të madh industrial, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat