Nga sulmi në Afganistan vriten tre policë dhe plagosen 20 fëmijë

Azia

Nga sulmi në Afganistan vriten tre policë dhe plagosen 20 fëmijë

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 09:54
Afganistan

Të paktën dy zyrtarë të policisë u vranë dhe rreth 36 persona, duke përfshirë 20 fëmijë u plagosën, kur një makinë bombë shpërtheu pranë një stacioni të policisë, në lindje të Afganistanit.

Shpërthimi pranë selisë së policisë, në rrethin Alishang të provincës Laghman, gjithashtu shkatërroi pjesërisht një medrese aty pranë, tha Asadullah Daulatzai, zëdhënësi i guvernatorit në Laghman.

Në mesin e të plagosurve janë edhe gjatë pjesëtarë të policisë.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ministria e Brendshme e Afganistanit konfirmoi numrin e viktimave dhe të plagosurve si dhe fajësoi militantët talibanë për sulmin.

Afganistani aktualisht është në pritje të rezultateve të rundit të parë të votimeve presidenciale, të cilat u zhvilluan muajin e kaluar.

Sulmet e militantëve talibanë janë shpeshtuar në periudhën e fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në bisedimet me grupin militant, në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje, por presidenti amerikan, Donald Trump e ndërpreu procesin, pasi ngriti dyshime mbi aftësinë e militantëve për të respektuar një marrëveshje.

Presidenti Trump me këtë rast kishte thënë se "nëse ata (talibanët) nuk mund të pajtohen për armë-pushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqe, si dhe janë në gjendje të vrasin 12 persona të pafajshëm, atëherë nuk kanë fuqi për të negociuar një marrëveshje të mirëfilltë”.

Zëdhënësi i talibanëve, Sohail Shaheen, i tha Radios Evropa e Lirë më 3 tetor se grupi është gati për një rifillim të bisedimeve me Uashingtonin.

Një nga pikat e saj kryesore të negociatave midis amerikanëve dhe talibanëve ishte një tërheqje graduale e trupave të huaja në këmbim të garancive të sigurisë nga ana e talibanëve, përfshirë këtu edhe mos lejimin që Afganistani të bëhet strehë për elementet terroriste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat