Kina shënon rritjen më të zbehtë ekonomike në 27 vjet

Azia

Kina shënon rritjen më të zbehtë ekonomike në 27 vjet

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 11:58
Ilustrim

Ekonomia kineze, në çerekun e tretë të vitit, ka shënuar rritjen më të zbehtë në 27 vjetët e fundit, teksa ky shtet po përballet me luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat tregojnë se bruto-prodhimi i brendshëm ka arritur në 6.0 për qind në periudhën korrik-shtator, në krahasim me 6.2 për qind sa ka qenë në çerekun e dytë.

Ndonëse një shifër e tillë do të përbënte sukes të madh në disa kombe të industrializuara perëndimore, për Kinën ky është lajm negativ.

Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave, Mao Shengyong, ka thënë se Kina është “përballur me rritje të rreziqeve dhe sfidave si në shtëpi, ashtu edhe jashtë saj”.

Mirëpo ai ka shtuar se “ekonomia në nivel kombëtar ka vazhduar të jetë stabile dhe ka përmirësuar standardin e jetesës”.

Kina është përfshirë në një betejë tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke iu kundërpërgjigjur secilit veprim me të njëjtën monedhë.

Shumë ekspertë besojnë se kjo luftë tregtare mund të ndikojë në aktivitetin ekonomik global.

Presidenti amerikan, Donald Trump e pati arsyetuar vendimin për vënie të tarifave në mallrat kineze në vlerë të miliarda dollarëve, për shkak të atyre që i ka cilësuar si “praktika të padrejta tregtare” nga ana e Kinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat