Lideri suprem i Iranit përjashton bisedimet me ShBA-në

Azia

Lideri suprem i Iranit përjashton bisedimet me ShBA-në

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 14:23
Ayatollah Ali Khamenei

Lideri supreme i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Tehrani do t’i qëndrojë besnik pozicionit për të mos zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Ai i bëri këto komente të dielën në televizionin shtetëror, një ditë para shënimit të përvjetorit të 40-të të hyrjes së iranianëve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tehran.

“Njëra nga mënyrat e bllokimit të përzierjes politike të Amerikës është shmangia e bisedimeve me ta. Kjo do të thotë se Irani nuk do t’i përgjigjet presionit të Amerikës”, citohet të ketë thënë Khamenei.

“Ata që i shohin negociatat me Shtetet e Bashkuara si zgjidhje për secilin problem sigurisht se po gabojnë. Asgjë nuk do të dalë nga këto bisedime, sepse ata sigurisht dhe përfundimisht nuk lëshojnë pe”, shtoi ai.

Ndonëse asnjëherë nuk kanë qenë miqësore, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë tensionuar edhe më shumë pas tërheqjes së ShBA-së nga marrëveshja bërthamore mes republikës islamike dhe fuqive botërore, e cila ishte nënshkruar në vitin 2015.

Më 4 nëntor 1979, studentët iranianë i kishin rrëmbyer 52 punëtorë të ambasadës amerikane në Tehran. Kriza kishte zgjatur 444 ditë dhe kishte përfunduar me lirimin e amerikanëve. Dy shtetet i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1980, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat