Vazhdojnë protestat në Irak, bllokohet Bagdadi

Azia

Vazhdojnë protestat në Irak, bllokohet Bagdadi

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 15:34
Foto ilustrim

Protestuesit i bllokuan të dielën rrugët kryesore të kryeqytetit irakian, Bagdad, në kohën kur po vazhdon kryengritja kundër qeverisë së kryeministrit Adel Abdul Mahdi.

Protestuesit u panë duke i parkuar veturat në udhëkryqet kryesore të qytetit, ndërsa policia vetëm i shikonte dhe nuk intervenonte.

Që nga 1 tetori, dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në valën e protestave masive për të kërkuar më shumë vende pune, shërbime më të mira publike dhe luftë më të ashpër kundër korrupsionit.

Deri më tash, më shumë se 250 njerëz janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë dhe mijëra të tjerë janë lënduar.

Javën e kaluar, presidenti i Irakut, Barham Saleh, tha se kryeministri Mahdi do të japë dorëheqje, nëse partitë politike arrijnë marrëveshje për pasardhësin e tij.

Studentët vendosën të mos marrin pjesë në procesin mësimor, ndërsa zyrat qeveritare ishin të mbyllura në ditën e parë të punës. E diela në Irak është ditë pune.

Tahseen Nasser, një protestues 25 vjeç, tha: “Vendosëm t’i bllokojmë rrugët si porosi për qeverinë se ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa njerëzit e korruptuar dhe hajnat të ikin dhe regjimi të bjerë”.

Kryeminsitri Mahdi ka premtuar se do t’i zvogëlojë pagat e zyrtarëve të lartë dhe do të zbatojë skema për uljen e papunësisë së rinisë, por protestuesit nuk janë të kënaqur me këto premtime, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat