Protestuesit irakianë sulmojnë konsullatën iraniane

Azia

Protestuesit irakianë sulmojnë konsullatën iraniane

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 09:26
Protesta

Protestuesit irakianë e kanë sulmuar konsullatën iraniane në qytetin e shenjtë shiit të Kerbelasë në vargun e protestave kundër korrupsionit, papunësisë. Ata po e kundërshtojnë edhe ndërhyrjen e Iranit në punët e brendshme të Irakut.

Agjencia “Associated Press” ka cituar dëshmitarë që kanë thënë se protestuesit e kanë larguar flamurin iranian nga konsullata dhe e kanë ngritur flamurin irakian në vend të tij.

Në disa pamje amatore të publikuara në internet shihet se si protestuesit hedhin koktej molotovi mbi murin rrethues të konsullatës iraniane.

Ndaj këtij sulmi nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar të autoriteteve iraniane.

Protestat masive në Irak filluan më 1 tetor. Më shumë se 250 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur për një muaj gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë, të cilat kohë pas kohe kanë përdorur plumba lufte për t’i shpërndarë turmat.

Irani e ka zgjeruar ndikimin e vet në Irak që nga rënia e diktatorit irakian, Saddam Hussein dhe hyrja e forcave amerikane në Irak në vitin 2003.

Kryeministri i Irakut, Adil Abdul Mahdi, ka kërkuar nga protestuesit që t’i ndërpresin tubimet për shkak se kryengritja i ka kushtuar ekonomisë së vendit miliarda dollarë, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat