Bllokohet trafiku në Hong Kong, policia plagos një protestues

Azia

Bllokohet trafiku në Hong Kong, policia plagos një protestues

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 08:16
Pamje nga protestat në Hong Kong.

Protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong kanë bllokuar trafikun më 11 nëntor, dhe për pasojë një zyrtar policor ka qëlluar me armë zjarri ndaj një protestuesi, i cili më pas është dërguar në spital.

Protestat e ditëve të fundit, që kanë hyrë në muajin e gjashtë, janë nxitur nga vdekja e një studenti.

Dhuna është përshkallëzuar gradualisht përgjatë 24 javëve të protestave, në të cilat është kërkuar që Pekini të mos ndërhyjë në liritë dhe të drejtat themelore të Hong Kongut.

Aktivistët kanë thënë se autonomia e Hong Kongut dhe liritë civile të stilit perëndimor, të premtuara kur ish-kolonia britanike i është kthyer Kinës më 1997, janë duke u zhdukur me kalimin e kohës.

Tensionat janë rritur sidomos pas vdekjes së një studenti 22-vjeçar më 8 nëntor, i cili ka rënë nga një garazh parkimi, afër hapësirës ku po zhvillohej një operacion policor fundjavën e kaluar.

Në përleshjet e fundit, protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe linjat e trenave.

Policia është përgjigjur duke ndjekur protestuesit dhe duke hedhur gaz lotsjellës.

Policia ka thënë se 88 persona janë arrestuar për akuza të ndryshme.

Protestat në Hong Kong janë nxitur në muajin qershor kur qeveria ka prezantuar një projektligj që do të mundësonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Qeveria ka tërhequr këtë dokument, mirëpo protestuesit kanë rritur kërkesat e tyre, duke bërë thirrje për zgjedhje të drejtpërdrejta dhe llogaridhënie më të madhe nga policia.

Hong Kongu funksionon sipas organizimit, “një shtet, dy sisteme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat