Sot mbahen zgjedhjet në Hong Kong, shënohet rekord i pjesëmarrjes së lartë

Azia

Sot mbahen zgjedhjet në Hong Kong, shënohet rekord i pjesëmarrjes së lartë

Më: 24 nëntor 2019 Në ora: 08:46
Foto ilustrim

Një numër i madh i qytetarëve të Hong Kongut po pret në radhë para qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Grupet e protestuesve shpresojnë që ky proces do të jetë mesazh i qartë për Kinën pas pesë muajve të kryengritjeve.

Zgjedhjet për këshillin lokal po vlerësohen si test për kryetaren e sfiduar të qytetit, Carrie Lam. Gjatë fushatës zgjedhore, organizatorët e protestave kanë bërë thirrje për shmangie të dhunës dhe asnjë incident nuk është shënuar deri më tash.

Një numër rekord prej 4.1 milionë njerëzve është regjistruar për të votuar. Kjo shifër përbën më shumë se gjysmën e popullsisë prej 7.4 milionë banorësh.

Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve pritet të dalin emrat e më shumë se 400 anëtarëve të këshillit lokal. Aktivistët që organizuan protesta shpresojnë se do ta rrisin numrin e përfaqësuesve të tyre në këtë organ, i cili ka ndikim më pas edhe në zgjedhjen e kryetarit të qytetit.

Kandidatët që e përkrahin Pekinin kërkuan nga votuesit që t’i votojnë ata për të shprehur zemërim ndaj atyre që shkaktuan përleshje të vazhdueshme me policinë dhe dhunë në rrugët e qytetit.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 e 30 minuta në mëngjes. Deri në orën 11 e 30 minuta sipas kohës lokale, mbi një milion njerëz ose 24.37 për qind e popullsisë e shfrytëzuan të drejtën e votës. Kjo përqindje në zgjedhjet e kaluara të vitit 2015 ishte vetëm 10.89 për qind.

Më shumë se një mijë kandidatë po garojnë për 452 ulëse. Në mesin e tyre, 27 ulëse janë të rezervuara për distriktet rurale. Deri më tash, shumica e këtij këshilli është përbërë nga partitë që e përkrahin Kinën, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat