Policia indiane vret katër të dyshuar për përdhunim dhe vrasje - Bota Sot
Policia indiane vret katër të dyshuar për përdhunim dhe vrasje

Azia

Policia indiane vret katër të dyshuar për përdhunim dhe vrasje

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 09:53
Policia indiane

Policia indiane tha se katër burra të dyshuar për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje në jug të Indisë, u qëlluan për vdekje gjatë rindërtimit të skenës së krimit.

Të katër burrat ishin në paraburgim dhe nuk janë akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim.

Ata u dërguan në një lokacion, ku dyshohet se ndodhi përdhunimi dhe vrasja, si dhe në vendin ku u dogj trupi i viktimës, tha një zyrtar i policisë.

Komisionari i policisë, Hyberabad Sadzhanar, i tha BBC-së se policia kishte dërguar të akuzuarit në vendin e krimit, për të rikonstruktuar atë që kishte ndodhur.

Policia qëlloi drejt tyre, kur ata u përpoqën të rrëmbenin armët e oficerëve dhe të ikin, tha ai.

Me atë rast, dy policë u plagosën.

Trupi i djegur i viktimës 27-vjeçare u gjet javën e kaluar, pasi u raportua e zhdukur.

Rasti ngjalli zemërim dhe protesta në të gjithë Indinë për mosveprimin e policisë.

Pas njoftimit për vrasjen e të dyshuarve, rreth 300 njerëz u mblodhën në vendin e krimit në Shadnagar, për të lavdëruar policinë.

Megjithatë, në Nju Delhi, disa monitorues e kanë dënuar vrasjen nga ana e policisë.

"Ky lloj i drejtësisë është i rremë. Vrasjet e tyre janë për të na mashtruar dhe ndalur kërkesat tona për përgjegjësi nga qeveria, gjyqësori dhe policia, dhe për dinjitet dhe drejtësi për gratë. Ne kërkojmë që kjo të ekzaminohet në detaje", tha sekretarja e Asociacionit të Grave Progresive, Kavita Krishnan.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat