Shkon në 66 numri i viktimave nga vërshimet në Indonezi

Azia

Shkon në 66 numri i viktimave nga vërshimet në Indonezi

Më: 6 janar 2020 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Ka shkuar në 66 numri i personave të vdekur nga vërshimet në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, pas reshjeve të mëdha të shiut. Dy persona vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

Xhakarta dhe zonat përreth metropolit me 30 milionë banorë janë goditur nga vërshimet e mëdha që nga dita e fundit e dhjetorit, duke shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut. Kështu, mijëra persona janë detyruar të zhvendosen. Më shumë se 173 mijë persona kanë kërkuar strehim në qendrat e përkohshme të strehimit.

Meteorologët kanë parashikuar reshje të shiut edhe për ditët e ardhshme. Në ishullin më të madh të Indonezisë, në Java, pritet që në ditët në vazhdim të ketë 102 milimetra reshje.

Ndërkohë autoritetet dhe Kryqi i Kuq e kanë filluar procesin e dezinfektimit të kryeqytetit për t’i parandaluar sëmundjet që përhapen përmes ujit.

Më shumë se 35 mijë persona janë ende duke qëndruar në ndërtesa qeveritare, shkolla dhe qendra tregtare, të cilat janë shndërruar në qendra të përkohshme strehimi.

Xhakarta është njëra ndër qytetet më të ndjeshme në botë ndaj vërshimeve. Ekspertët thonë se në shtimin e vërshimeve ka ndikuar edhe rritja e nivelit të detit dhe ngrohja globale, shkruan “CNN”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat