Ministri izraelit i Mbrojtjes: Shtim i vendbanimeve hebreje

Azia

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Shtim i vendbanimeve hebreje

Më: 10 janar 2020 Në ora: 10:06
Ngulimi Har Homa

Ministri izraelit i Mbrojtjes kërkon që brenda dhjetë viteve të rrisë numrin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, për një milionë banorë të tjerë. Gjermania dhe BE i dënojnë këto plane.

Ministria e Jashtme gjermane në Berlin ka kritikuar njoftimin për zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Lindor të lumit Jordan. Një zëdhënëse në Berlin tha, se mësuan „me shqetësim të madh" për këto vendime. „Qeveria gjermane bën thirrje për të hequr dorë nga këto hapa që e vështirësojnë zgjidhjen paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme."

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Naftali Bennett pati njoftuar shtimin e numrit të vendbanimeve për dhjetë vitet e ardhshme. "Synimi ynë është që brenda një dhjetëvjeçari një milionë qytetarë izraelit të jetojnë në Judea dhe Samaria," tha Bennett në një konferencë shtypi në Jeruzalem, që kishte të bënte me ndryshimin e kursit të politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme. Në këtë mënyrë numri i 400 mijë kolonëve do të shtohet më shumë se dy herë. SHBA patën deklaruar në muajin nëntor ndryshimin e qëndrimit të tyre, duke thënë, se nuk mendojnë më se vendbanimet hebreje në Bregun perëndimor të lumit Jordan janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Image
Ngulimet në Jordanin Perëndimor

Në konferencën e mbajtur në Jeruzalem, krah Bennetit morën pjesë edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu si dhe ambasadori i SHBA në Izrael, David Friedman.

Bennet bën pjesë tek konservatorët e qeverisë izraelite. Ai doli në zgjedhjet e marsit si kandidati kryesor i Partisë së të djathtës së re. Pjesën më të madhe të përkrahësve ai e ka nga kolonët hebrej. Ai nuk e pranon vlerësimin se territoret palestine janë „pushtuar nga Izraeli". Edhe Netanjahu theksoi se:„Ne nuk jemi pushtues në vendin tonë, ne nuk jemi si belgët në Kongo". Në fund të fundit hebrejtë jetojnë prej mijëvjeçarësh në Jeruzaelem dhe Hebron. Përveç kësaj duhet parë edhe përfitimi ekonomik që vendbanimet izraelite sjellin si për hebrejtë ashtu si edhe për palestinezët, tha ai.

Kritika erdhën edhe nga Bashkimi Europian. Në një deklaratë të zëdhënëses për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë thuhet: "Ne i kërkojmë qeverisë izraelite që t'i përmbahet pa kufizime të drejtës ndërkombëtare dhe të ndalojë aktivitetet për zgjerimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara".

Image
Naftali Bennett, ministri izraelit i Mbrojtjes

Politika izraelite e vendbanimeve është çështje shumë e diskutueshme. Këshilli i Sigurimit të OKB, i pati kërkuar Izraelit në fund të vitit 2016 që të ndalojë krejtësisht ngritjen e vendbanimeve në territoret palestineze, përfshirë Jeruzalemin Lindor. BE i sheh po ashtu si ilegale vendbanimet izraelite të ngritura në territoret e pushtuara më 1967.

SHBA e quajnë legale ndërtimin e vendbanimeve

SHBA kanë patur deri tani të njëjtën pikëpamje. Por presidenti amerikan Donald Trump ndryshoi qëndrim. Në një deklaratë të ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo thuhet se vendbanimet izraelite nuk janë direkt të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare.

Gjatë luftës gjashtëditore të 1967, Izraeli pati pushtuar ndër të tjera Bregun perëndimor të Lumit Jordan dhe Jeruzalemin Lindor.  Palestinezët pretendojnë se këto territore janë të tyre dhe duan të ngrenë aty një shtet të pavarur palestinez me kryeqytet Jeruzalemin Lindor. Autoritetet autonome palestineze deklaruan, se planet e Bennettit pasqyrojnë natyrën që ka „marrëveshja e shekullit", duke bërë insinuata për planin paqësor të Trumpit për Lindjen e Mesme, plan që nuk është bërë ende publik./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat