Shpërthim i një virusi të ri në Kinë, i ngjashëm me Sars-in - Bota Sot
Shpërthim i një virusi të ri në Kinë, i ngjashëm me Sars-in

Azia

Shpërthim i një virusi të ri në Kinë, i ngjashëm me Sars-in

Më: 20 janar 2020 Në ora: 12:36
Mjekët transportojnë një pacient në spitalin në Jinyintan, i cili dyshohet se është prekur nga virusi i ri. 18 janar, 2020.

Kina raportoi për 139 raste të reja të një virusi misterioz brenda dy ditësh.

Virusi u përhap nga Vuhan në qytete të tjera.

Kryeqyteti Pekin raportoi për dy raste, ndërsa Shenzhen - që është qendër e teknologjisë - për një rast të dyshuar.

Numri total i rasteve të konfirmuara tani është 200, ndërsa tre persona kanë vdekur nga problemet me frymëmarrjen.

Zyrtarët shëndetësorë e identifikuan virusin, i cili u shfaq për herë të parë në Vuhan në muajin dhjetor, si një lloj koronavirusi.

Sipas tyre, ai ka çuar në një shpërthim të pneumonisë virale, porse ende mbeten shumë paqartësi rreth tij.

Gjetjet fillestare janë se virusi ka nisur të shpërthejë te njerëzit që kanë punuar ose vizituar një treg ushqimor në periferi të qytetit Vuhan, në fund të muajit të kaluar.

Megjithatë, ekspertët nuk e kanë krijuar plotësisht rrugën e transmetimit.

Sipas tyre, virusi me gjasë përhapet nga kafshët te njerëzit, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit midis njerëzve.

Koreja e Jugut raportoi po ashtu për rastin e parë të saj të hënën, pas Tajlandës dhe Japonisë.

Ky shpërthim, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars - gjithashtu një koronavirus - që ka lënë mbi 770 njerëz të vrarë në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi.

Analiza e kodit gjenetik të virusit të ri tregon se ai është më i lidhur me Sars-in sesa me çdo koronavirus tjetër njerëzor.

Virusi i ri është etiketuar si 2019-nCoV dhe thuhet të jetë një lloj i ri i koronavirusit që nuk është identifikuar më parë te njerëzit.

Image
Doktorët trajtojnë një person që dyshohet se është prekur nga virusi i ri. Kinë, 18 janar, 2020.

Koronaviruset janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë prej tyre dihet se i infektojnë njerëzit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se aktualisht nuk rekomandon kufizime në udhëtime ose tregti, por dha udhëzime për vendet që të përgatiten për ndonjë shpërthim.

Singapori dhe Hong Kongu kanë nisur me ekzaminimin e pasagjerëve që fluturojnë nga Vuhani, ndërsa autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të ndërmarrin masa të ngjashme në tre aeroportet kryesore në San Francisko, Llos Angjelles dhe Nju Jork.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë tha se virusi është “ende i parandalueshëm dhe i kontrollueshëm”, por paralajmëroi se monitorimi nga afër është i nevojshëm, marrë parasysh se burimi, transmetimi dhe metodat e mutacionit nuk dihen ende.

Ai po ashtu tha se nuk ka pasur raste të përhapjes së virusit nga njeriu në njeri.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se beson se ka pasur “transmetim të kufizuar nga njeriu në njeri” që ka ndodhur për shkak të kontakteve të ngushta.

"Sa më shumë raste të identifikohen dhe më shumë analiza të bëhen, do të kemi një pamje më të qartë të ashpërsisë së sëmundjes dhe modeleve të transmetimit", shkroi Organizata Botërore e Shëndetësisë në Twitter.

Ajo po ashtu tha se rritja e numrit të rasteve në Kinë është rezultat i “kërkimeve dhe testimeve të shtuara të virusit në mesin e njerëzve të prekur nga sëmundje të frymëmarrjes”./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat