Virusi kinez, shqetësimi po merr përmasa të mëdha – bëhet “skanimin” edhe të pasagjerëve në aeroplan

Azia

Virusi kinez, shqetësimi po merr përmasa të mëdha – bëhet “skanimin” edhe të pasagjerëve në aeroplan

Më: 20 janar 2020 Në ora: 21:52
Foto

Një video e mjekëve në kostume speciale që kontrollojnë dhjetëra pasagjerë në aeroplan për simptomat e një virusi misterioz dhe fatal që po përhapet në Kinë po ngjall frikën e një epidemie globale.

Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një virus të njohur edhe si Virusi Wuhan, emër i cili vjen nga qyteti kinez, prej nga supozohet se e ka origjinën virusi.

Siç edhe mund të shihet në pamje, dy mjekë, të veshur me kostume speciale gjenden në mes të ulëseve në aeroplan, duke ua matur temperaturën pasagjerëve.

Videoja thuhet se është shpërndarë nga David Paulk, një gazetar i një faqeje lajmesh me qendër në Shanghai.

Thuhet se bëhet fjalë për pamje të marra në një aeroplan vendas dhe të cilat tanimë janë shpërndarë në mediat sociale kineze dhe jo vetëm.

Sipas dëshmitarëve, një kontroll i tillë i mjekëve ka zgjatur rreth 10 minuta.

Ndërkohë mediat kanë raportuar se Koronavirusi i ri që ka infektuar më shumë se 200 njerëz në Kinë është transmetuar mes njerëzve, sipas autoriteteve shëndetësore kineze.

Zyrtarët kinezë fillimisht e kishin lidhur virusin me tregun e madh të prodhimeve të detit në Wuhan, Kinë, nga ku kishin lindur shumë nga rastet.

Infeksionet e raportuara rishtazi janë më shumë se trefishuar gjatë fundjavës, duke u rritur në më shumë se 200 raste, sipas Komisionit Shëndetësor Komunal Wuhan, me disa raste të raportuara jashtë Kinës, në Japoni, Tajlandë dhe Korenë e Jugut.

Simptomat e pacientëve, të cilat i ngjajnë pneumonisë, përfshijnë vështirësi në frymëmarrje, ethe dhe probleme në mushkëri, të cilat u zbuluan përmes rrezeve të kraharorit.

“Shpërthimi i fundit në Wuhan dhe vende të tjera duhet të merret seriozisht”, ka thënë presidenti kinez Xi Jinping të hënën, sipas rrjetit shtetëror televiziv.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat