Zyrtarët afganë thonë se nga sulmet amerikane u vranë disa civilë - Bota Sot
Zyrtarët afganë thonë se nga sulmet amerikane u vranë disa civilë

Azia

Zyrtarët afganë thonë se nga sulmet amerikane u vranë disa civilë

Më: 22 janar 2020 Në ora: 14:35
Afganistan

Së paku 10 civilë afganë janë vrarë, nga një sulm ajror amerikan në fillim të këtij muaji, në provincën Herat të Afganistanit.

Sulmi me gjasë kishte në shënjestër një grup militant.

Kështu deklaroi në kushte anonimiteti një zyrtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Afganistan.

Sipas tij, në mesin e civilëve të vrarë, ishin tri gra dhe tre fëmijë.

Pesë civilë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën gjatë sulmit, tha zyrtari.

Ushtria afgane dhe forcat e drejtuara nga SHBA-ja ende nuk e kanë komentuar këtë informacion.

Por, një zyrtar rajonal, Wakil Ahmad Karokhi, tha se gjatë sulmit gjithashtu janë vrarë 16 militantë, që i përkisnin një grupi të ndarë prej talibanëve, përfshirë komandantin e tij, të njohur si Mullah Nangyalia.

Karokhi tha se sulmi ishte një "gabim i madh" sepse grupi i Mullah Nangyalia kishte qenë i dobishëm kundër talibanëve, pasi ata kanë luftuar kundër kryengritësve "kur askush tjetër nuk do ta bënte atë".

Talibanët kontrollojnë gati gjysmën e Afganistanit, dhe vazhdojnë të kryejnë sulme duke synuar forcat afgane dhe amerikane, pavarësisht bisedimeve me një të dërguar të Shteteve të Bashkuara, për një armëpushim të mundshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat