Shkon në 1018 numri i viktimave të koronavirusit, shënohet rekord ditor

Azia

Shkon në 1018 numri i viktimave të koronavirusit, shënohet rekord ditor

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi e ka kaluar shifrën prej një mijë njerëzve të martën. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 108 viktima të reja.

Koronavirusi ka shkaktuar pengesa në punën e bizneseve dhe fabrikave të mëdha në njërën prej ekonomive më të mëdha të botës. Qindra firma kineze kanë thënë se do të kenë nevojë për miliarda dollar hua për t’i luftuar efektet e virusit të rrezikshëm.

Për një ditë u shënuan 2478 raste të reja të infektimeve vetëm në territorin e Kinës, duke e çuar në 42 mijë e 638 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar. Sidoqoftë, kjo shifër ishte më e vogël në krahasim me ditën paraprake, kur u konfirmuan 3 mijë e 62 persona të infektuar.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më tash jashtë Kinës janë shënuar 319 raste të infektimeve dhe dy persona – njëri në Hong Kong e tjetri në Filipine – kanë vdekur.

Më shumë se 300 kompani kineze kanë kërkuar hua prej 8.2 miliardë dollarësh në banka për shkak të krizës së shkaktuar nga masat për kufizimin e lëvizjes së banorëve, shkruan “Reuters”.

Në epiqendrën e virusit, në provincën Hubei, në 24 orët e fundit u raportuan mbi dy mijë raste të reja të infektimeve dhe 103 persona të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat