Së paku 50 të vdekur nga koronavirusi në një qytet iranian - Bota Sot
Së paku 50 të vdekur nga koronavirusi në një qytet iranian

Azia

Së paku 50 të vdekur nga koronavirusi në një qytet iranian

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 11:00
Ilustrim

Agjencia e lajmeve ILNA në Iran ka raportuar se së paku 50 persona kanë vdekur nga koronavirusi vetëm në qytetin Qom.

Shifra e re është shumë më e lartë se numri i konfirmuar në mënyrë zyrtare nga autoritetet. Disa orë më parë, zyrtarët iranianë raportuan vetëm për 12 vdekje nga 47 raste të infektimeve.

Ahmad Farahani, zyrtar lokal në qytetin Qom, citohet të ketë thënë që më shumë se 250 persona janë vendosur në karantinë, shkruan “The Guardian”.

Ai tha se brenda shifrës së re të viktimave janë të përfshirë personat që kanë vdekur nga data 13 shkurt e tutje. Megjithatë, autoritetet shtetërore raportuan se rasti i parë është regjistruar më 19 shkurt.

Kjo shifër e bën Iranin vendin me më së shumti viktima të koronavirusit pas Kinës.

Të dielën, Turqia dhe Iraku i mbyllën kufijtë e tyre me Iranin për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit.

Virusi i ri tashmë është përhapur edhe në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Afganistanin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat