Shkon në 20 numri i të vdekurve në protestat e Indisë - Bota Sot
Shkon në 20 numri i të vdekurve në protestat e Indisë

Azia

Shkon në 20 numri i të vdekurve në protestat e Indisë

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Përleshjet e përgjakshme kanë vazhduar në kryeqytetin e Indisë për të tretën natë radhazi. Raportohet se cak i sulmeve të grupeve të dhunshme janë bërë shtëpitë dhe dyqanet e myslimanëve. Numri i të vdekurve deri më tash ka shkuar në 20.

Dhuna filloi së pari të dielën mes protestuesve që e përkrahin ligjin e ri për shtetësinë dhe atyre që e kundërshtojnë atë. Megjithatë, përplasjet tashmë kanë marrë karakter religjioz për shkak të raportimeve se njerëzit po sulmohen në bazë të përkatësisë fetare.

Mediet lokale raportuan për grupe të dhunshme, të pajisura me shkopinj, shufra metalike dhe gurë, të cilat po enden rrugëve dhe po kryejnë zjarrvënie të qëllimshme.

Në mesin e të vdekurve ka hindusë dhe myslimanë. Përpos të vrarëve, gjatë përleshjeve janë lënduar 189 persona, shumë prej të cilëve janë shtrirë në spitale.

Gjykata e Lartë e Nju Delhit i urdhëroi qeverinë dhe ushtrinë që personat e lënduar të dërgohen në mënyrë të sigurt në spitalet më të afërta, shkruan “BBC”.

Dëshmitarët e përleshjeve thanë se kanë parë persona të armatosur dhe pati raportime se ka pasur të shtëna nga persona të paidentifikuar, të cilët po qëndronin në kulmet e shtëpive dhe ndërtesave.

Këto trazira ndodhën pikërisht në kohën kur në Indi po qëndronte për vizitën e parë zyrtare presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat