Të paktën “23 fëmijë janë vrarë” në protestat e nëntorit në Iran

Azia

Të paktën “23 fëmijë janë vrarë” në protestat e nëntorit në Iran

Më: 5 mars 2020 Në ora: 08:26
Ilustrim

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International, ka thënë se ka të dhëna që të paktën 23 fëmijë janë vrarë nga autoritetet e sigurisë në protestat kundër qeverisë që janë mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Iran.

Një hetim i kryer nga ky vëzhgues me bazë në Londër, ka zbuluar se të paktën 22 fëmijë janë qëlluar me armë zjarri nga forcat e sigurisë”, është thënë në deklaratën e kësaj organizate më 4 mars. Sipas të gjeturave, në mesin e fëmijëve të vrarë janë 22 djem të moshave 12-17 vjeçare dhe një vajzë e moshës nga tetë deri në 12-vjeçare.

Philip Luther, hulumutues për Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore në organizatën Amnesty International, ka bërë thirrje për hetime “të pavarura” për këto vrasje dhe ndëshkim të atyre që dyshohet se kanë kryer këto vepra. Sipas tij, vendet anëtare të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut duhet të nisin hetime për këto raste. Më 15 nëntor patën shpërthyer protesta të mëdha në Iran, për të kundërshtuar vendimin qeveritar për rritje të çmimeve të naftës.

Sipas Amnesty International, të paktën 304 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në ditët që autoritetet kanë shtypur protestat. Si pasojë e këtyre organizimeve janë ndaluar mijëra persona, të cilët më pas janë përballur edhe më torturë. Kjo Organizatë ka thënë se ka mbledhur të dhëna nga fotografë, më pas nga certifikatat e vdekjes dhe varrimit, dëshmitarëve, familjarëve të viktimave dhe gazetarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat