Kina dëbon gazetarët e tri gazetave amerikane

Azia

Kina dëbon gazetarët e tri gazetave amerikane

Më: 18 mars 2020 Në ora: 13:00
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, gjatë një fjalimi në Pekin.

Kina dëboi gazetarët e tri gazetave amerikane, në shenjë hakmarrjeje për kufizimet në mediat e saj në Shtetet e Bashkuara.

Ministria e Jashtme kineze kërkoi nga gazetarët e New York Times, Washington Post dhe Wall Street Journal që t’i dorëzojnë akreditimet brenda dhjetë ditësh.

Bëhet fjalë për së paku 13 gazetarë.

Ministria po ashtu kërkoi informacione rreth operacioneve të tyre në Kinë.

Masat janë përgjigje ndaj "kufizimeve të paarsyeshme për agjencitë e mediave kineze" në SHBA, tha ministria kineze.

Ditë më parë, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur kufij në numrin e qytetarëve kinezë që mund të punojnë si gazetarë në SHBA.

Ky veprim është bërë pasi Kina ka dëbuar dy gazetarë amerikanë të gazetës Wall Street Journal, për shkak të një shkrimi për koronavirusin, në muajin shkurt.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i kërkoi Pekinit që të rishqyrtojë vendimin e fundit, duke thënë se ai është “për keqardhje”.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë mosmarrëveshje të mëdha edhe për tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe rrjetin 5G.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat