Imazhet satelitore kapin anijet luksoze të Kim Jon-Un, dyshohet se mund të jetë në vilën e tij

Azia

Imazhet satelitore kapin anijet luksoze të Kim Jon-Un, dyshohet se mund të jetë në vilën e tij

Më: 29 prill 2020 Në ora: 14:51
Kim Jon-Un

Imazhet satelitore tregojnë lëvizje të anijeve luksoze që përdoren nga lideri verikorean Kim Jong-Un, të cilat u fotografuan në afërsi të Vonsanit, ku edhe e ka vilën ky lider, raporton Reuters.

Spekulimet për gjendjen shëndetësore të Kim Jong-Un dhe mbi atë se ku gjendet po bëhen çdo herë e më të shpeshta, e në veçanti pasi nuk mori pjesë në shënimin e ditëlindjes së Kim Il-Sung, më 15 prill, që konsiderohet si festa më e rëndësishme në Korenë e Veriut.

Ueb-faqja që përcjell aktivitetet në Korenë e Veriut, NK Pro ka shfaqur imazhet satelitore komerciale në të cilat shihen anijet që Kim shpesh i përdor, që tregon se ai mund të jetë në Vonsan.

Megjithatë javën e kaluar një raportim i ngjashëm kishte ndodhur kur imazhet satelitore shfaqën trenin personal të liderit verikorean, që gjendej i parkuar në stacionin e Vonsanit.

Në anën tjetër zyrtarët jugkoreanë dhe ata amerikanë pretendojnë se ekziston mundësia që Kim ka shkuar në këtë vilë pranë brigjeve për të shmangur ekspozimin nga coronavirusi, pasi që CNN kishte raportuar se ai së fundmi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale pas problemeve që ka patur me zemër.

Kështu çfarëdo ekspozimi ndaj virusit pas intervenimit kirurgjik, vetëm sa do të rriste gjasat që gjendja e tij shëndetësore të rrezikohet seriozisht. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat