Singapori dënon një person me vdekje nëpërmjet video-konferencës me Zoom

Azia

Singapori dënon një person me vdekje nëpërmjet video-konferencës me Zoom

Më: 20 maj 2020 Në ora: 18:45
Singapori

Një gjykatës në Singapor ka dënuar një person me vdekje nëpërmjet video-konferencës me Zoom, për rolin e tij për kontrabandë të drogës. Është vetëm një nga dy rastet e njohura ku dënimi kapital është dhënë nëpërmjet video-konferencave, shkruan agjencia Reuters.

Punithan Genasan, një 37-vjeçari nga Malajzia, i është thënë të premten se do të varret pasi ka qenë koka prapa një marrëveshje droge me heroinë në vitin 2011. Vendimi i është kumtuar nëpërmjet platformës Zoom, shkaku i masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Për shkaqe të sigurisë të gjithë të përfshirëve, seanca dëgjimore është mbajtur nëpërmjet video-konferencës”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Supreme të Singaporit.

Është rasti i parë penal ku dënimi me vdekje është në Singapor është shqiptuar nëpërmjet video-konferencës, ka thënë zëdhënësi.

Grupet e të drejtave kanë kritikuar përdorimin e video-konferenca për shqiptimin e dënimeve kapitale. Një rast i tillë ishte edhe në Nigeri më herët këtë muaj.

Avokati i Genasanit, Peter Fernando, ka thënë se ai nuk kishte refuzuar që gjykimi të bëhej me anë të Zoomit.

Ai ka thënë se gjykatësi është dëgjuar qartë dhe ishte një vendim ku nuk ka pasur argumente tjera ligjore. Mirëpo, ai ka thënë, se klienti i tij është duke shqyrtuar apelin kundër vendimit.

Shumica e rasteve gjyqësore në Singapor janë shtyrë gjatë periudhës së izolimit shkaku i pandemisë, ndërsa rastet që janë vlerësuar si esenciale janë mbajtur me video-konferenca.

Singapori ka zero-tolerancë sa i përket drogave ilegale dhe ka varrë qindra persona – përfshirë dhjetëra të huaj – për shkelje me narkotikë gjatë dekadës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat