Kina miraton ligjin e sigurisë për Hong Kongun

Azia

Kina miraton ligjin e sigurisë për Hong Kongun

Më: 29 maj 2020 Në ora: 06:19
Xi Jinping

Parlamenti i kontrolluar i Kinës miratoi një ligj të ri të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, që kritikët thonë se kërcënon statusin gjysmë autonom të qytetit.

Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës e miratoi të enjten ligjin e debatueshëm me 2.878 vota pro, një kundër dhe gjashtë abstenime.

Ligji i ri parandalon dhe ndëshkon aktet e "shkëputjes, suversionit ose aktiviteteve terroriste" që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Ligji gjithashtu lejon që organet kineze të sigurisë kombëtare të krijojnë agjenci në Hong Kong. Komiteti i Përhershëm i Asamblesë do të fillojë hartimin e hollësive të ligjit, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator.

Legjislacioni i ri u dënua gjerësisht nga grupet e biznesit dhe vendet perëndimore si një kambanë vdekjeje për statusin e Hong Kongut nën konceptin "një vend, dy sisteme" të krijuar pasi Britania ia dorëzoi Kinës kontrollin e kësaj qendre financiare në vitin 1997, sidomos sepse ligji anashkalon legjislaturën e Hong Kongut.

Njoftimi i Pekinit mbi ligjin e sigurisë kombëtare për Hong Kongun javën e kaluar ndezi një raund të ri protestash të ngjashme me demonstratat masive dhe shpesh të dhunshme që përfshinë qytetin gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019.

Protestat fillimisht u provokuan nga një projekt-ligj i diskutueshëm për ekstradimet që u shndërruan në kërkesat për një demokraci më të madhe për qytetin.

Të mërkurën mbrëma u arrestuan rreth 360 persona që protestonin ndaj projekt-ligjit të sigurisë kombëtare.

REAGIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se i raportoi Kongresit se Hong Kongu "nuk është më autonom nga Kina" dhe se duke patur parasysh faktet në terren, "Hong Kongu nuk mund të justifikojë trajtimin e veçantë sipas ligjeve të Shteteve të Bashkuara".

Deklarata e Sekretarit Pompeo është shenjë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë pezullimin e statusit preferencial që e ka bërë qytetin një partner të rëndësishëm tregtar të Shteteve të Bashkuara.

Propozimet legjislative të Pekinit shënojnë një ndryshim dramatik për Hong Kongun, i cili prej kohësh gëzonte liri më të mëdha politike nën një qeveri të zgjedhur gjysmë-autonome, që shihej dikur si një model për Kinën kontinentale.

"Ndërsa Shtetet e Bashkuara dikur shpresonin se Hong Kongu i lirë dhe i begatë do të ishte një model për Kinën autoritare, tani është e qartë se Kina po E modelon Hong Kongun sipas vetes së saj," tha sekretari Pompeo.

Akti i të drejtave të njeriut dhe demokracinë në Hong Kong i miratuar vitin e kaluar nga Kongresi amerikan dhe Presidenti Donald Trump, i kërkon Departamentit të Shtetit të certifikojë çdo vit se ish-kolonia britanike ruan një autonomi të mjaftueshme për të justifikuar trajtimin e favorshëm tregtar nga SHBA, diçka që e ka ndihmuar Hong Kongun të ruajë pozitën e tij si një qendër financiare botërore.

Në bazë të këtij akti, zyrtarët përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut në Hong Kong mund të jenë objekt sanksionesh, përfshirë mohimin e vizave dhe ngrirjen e pasurive.

Tani i takon Presidentit Trump të vendosë nëse do t’u japë fund disave, të gjithave ose asnjërit prej privilegjeve ekonomike që gëzon aktualisht Hong Kongu./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat