Izraelitët protestojnë kundër aneksimit të tokave në Bregun Perëndimor

Azia

Izraelitët protestojnë kundër aneksimit të tokave në Bregun Perëndimor

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 13:15
Ilustrim

Disa mijëra izraelitë kanë protestuar të shtunën në mbrëmje kundër planit të kryeministrit Benjamin Netanyahu për zgjerimin e sovranitetit në disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor, që de fakto do të ishte aneksim i tokës që palestinezët synojnë ta bëjnë shtet të vetin.

Duke vendosur maska në fytyrë dhe duke e mbajtur distancën mes vete sipas kufizimeve të caktuara për shkak të koronavirusit, izraelitët u mblodhën nën parullën “Jo aneksimit, jo pushtimit, po paqes dhe demokracisë”. Disa prej tyre madje mbanin në duar flamuj palestinezë.

Protesta u organizua nga grupet majtiste dhe nuk u duk se do të jetë fillimi i një lëvizjeje masive popullore. Sipas një sondazhi të ri, rreth gjysma e izraelitëve e përkrahin aneksimin e territoreve të reja, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Organizatorët e protestës e shfaqën në ekran një deklaratë të senatorit amerikan, Bernie Sanders, ku dëgjohej duke thënë: “Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme që të qëndrojmë për demokraci dhe të luftojmë për të ardhshmen që ne të gjithë e meritojmë. Varet nga të gjithë ne nëse do të qëndrojmë para liderëve autoritarë për të ndërtuar një të ardhme paqësore për secilin palestinez dhe për secilin izraelit”, tha Sanders.

Palestinezët duan një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës, territore që Izraeli i pushtoi në Luftën e Lindjes së Mesme, më 1967.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka caktuar datën 1 korrik për fillimin e zbatimit të planit të tij për aneksimin e vendbanimeve izraelite dhe Luginës së Jordanit në Bregun Perëndimor, duke shpresuar për dritën e gjelbër nga Uashingtoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat