Iran: Dënim me vdekje për informatorin, ndihmoi në atentatin ndaj komandantit Sulejmani

Azia

Iran: Dënim me vdekje për informatorin, ndihmoi në atentatin ndaj komandantit Sulejmani

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 15:56
Kasem Sulejmani

Vrasja e komandantit iranian, Kasem Sulejmani, në janar për pak sa nuk futi në luftë Uashingtonin me Teheranin. Një nga informatorët e dyshuar se ndihmoi CIA-n amerikane në realizimin e atentatit ka marrë vendim kapital nga gjykatat e vendit.

Gjykata e Lartë e Iranit ka dënuar me vdekje një informator vendës që punoi për agjencitë amerikane dhe izraelite për të realizuar atentatin ndaj ish-komandantit të lartë të vendit, Kasem Sulejmani.

Ish-shefi i forcave elite u ekzekutua 3 janarin e këtij viti me anë të një droni të komanduar më urdhër të Uashingtonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e justifikoi vendimin me sulmet terroriste dhe komplotet që gjeneral lejtënanti po planifikonte në Lindjen e Mesme për të destabilizuar rajonin.

Ndërkohë Irani u përgjigj pesë ditë më vonë duke sulmuar me raketa një bazë ushtarake në Irak ku stacionoheshin trupat amerikane.

"Personi i njohur si Sejed Mahmud Musavi-Maxhd, me lidhje me Mosadin dhe CIA-n, kishte mbledhur dhe ndarë informacione të klasifikuara, sidomos për Forcat e Armatosura, por edhe për vendndodhjen e Forcës speciale Kud dhe të martirit Sulejmani, në këmbim të dollarëve amerikanë."

Informatori që pritet të ekzekutohet së shpejti për spiunazh është i dyti person këtë vit që merr dënim kapital për bashkëpunim të fshehtë me Amerikën.

Vdekja e ish-komandantit Sulejmani këtë fillimvit rriti tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit duke rrezikuar përshkallëzimin drejt konfliktit luftarak.

Në vend u shtuan edhe ndjenjat antiamerikane të manifestuara me sloganet dhe protestat masive në qytetet kryesore të Iranit.

Dy vendet kanë raporte të tensionuara që nga viti 2015 kur presidenti Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja antibërthamore me Iranin, duke e rënduar Teheranin ekonomikisht me sanksione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat