Mungojnë testet, çdokush që ka simptoma do të cilësohet si i infektuar me Covid-19 në Afganistan

Azia

Mungojnë testet, çdokush që ka simptoma do të cilësohet si i infektuar me Covid-19 në Afganistan

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 14:12
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Afganistanit ka thënë se nuk ka mundësi të kryejë testime për koronavirus për shkak të mungesës së laboratorëve dhe numrit të madh të pacientëve të dyshuar nëpër spitale.

Ky lajm erdhi në kohën kur vetëm në kryeqytetin Kabul janë shënuar rreth dhjetë mijë raste të infektimeve, shkruan “The Guardian”.

Ahmad Jawad Osmani, ministër në detyrë i Shëndetësisë, tha të shtunën se punëtorët shëndetësorë do t’i përcaktojnë pacientët e rinj me koronavirus përmes simptomave e jo përmes testeve, tani kur vendi po shkon drejt kulmit të krizës.

“Vendimi i ri që e kemi marrë është që secili pacient me simptoma klinike që i viziton qendrat shëndetësore do të njihet si pacient me koronavirus dhe do të pranohet për trajtim”, tha ministri Osmani.

Së paku 20 të infektuar vdiqën gjatë 24 orëve të kaluara, përfshirë gjashtë në Kabul, që do të thotë se shifra e përgjithshme e viktimave ka shkuar në 471. 7,725 persona janë shëruar, ndërsa testeve u janë nënshtuar rreth 56,000 njerëz.

Zyrtarët lokalë në Kabul kanë paralajmëruar se numri i vërtetë i rasteve mund të jetë shumë më i lartë se figura zyrtare prej 10,035 personave të prekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat