Miliona fëmijë mund të vdesin në Jemen nëse bota nuk reagon

Azia

Miliona fëmijë mund të vdesin në Jemen nëse bota nuk reagon

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 17:00
Jemen

Emri i saj është Salwa. Ajo është pesëvjeçare dhe peshon vetëm 3,5 kilogramë.

Në mes të katastrofës më të rëndë humanitare në botë, e goditur tani nga koronavirusi dhe mungesa e fondeve, kjo është ajo që duket si fëmijëri, raporton Sky News.

Salwa së bashku me prindërit dhe motrat e vëllezërit kalon ditët në kasollen me baltë, që është shtëpia e tretë e familjes gjatë jetës së shkurtër të saj.

“Vajza ime vuan nga kequshqyerja e rëndë”, ka thënë babai i Salwas për Sky News. “Ajo është pesëvjeçare dhe gjithnjë ka qenë kështu. Ajo është në situatë shumë të keqe aktualisht dhe situata jonë është rënduar tepër për shkak të luftës dhe koronavirusit. Jemi bllokuar në shtëpitë tonë dhe nuk mund të fitojmë as për të siguruar ushqimin për një ditë”.

Ai ka treguar se familja është shpërngulur nga Al Jar për shkak të luftës. Ai ka punuar në Al Jar për një vit. Më pas ai vend u bombardua. Pasoi një lëvizje për në Al Asakarah. Atje nuk kishte bagëti e punë. Tani familja e Salwas është rreth 10 kilometra larg një zone militare. Është familje e shpërngulur që nuk mund të punojë.

Pesë vjet të luftës civile, e nxitur nga fuqitë rajonale dhe globale në të dy palët, kombinuar me ndikimin e sëmundjeve të shumta dhe së fundi me uljen e përkrahjes ndërkombëtare, kanë lënë Jemenin në një situatë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të botës.

“Kam punuar në Jemen për shumë vjet. Kam përjetuar shumë momente të këqija. Por ky është momenti më i keq”, ka thënë Sir Mark Lowcock, zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare.

“Bota ka një zgjidhje të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Ose mund të rifillohet financimi i operacionit Jemeni dhe të shpëtohen miliona jetë, ose të shikojmë vendin duke u shkatërruar”.

Kombet e Bashkuara tashmë kanë tërhequr vërejtjen për mbylljen e shumë programeve të saj për shkak se vendet donatore kanë zvogëluar fondet, pas goditjes që ekonomia ka pësuar nga paraqitja e koronavirusit.

OKB-ja vjet ka ushqyer nga 13 milionë njerëz në muaj. Tani paratë për të bërë këtë po mungojnë. Katër nga pesë fëmijët në Jemen, që llogaritet se i ka 12,3 milionë fëmijë, kanë nevojë jetike për ndihmë. Më shumë se 1,7 milionë fëmijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të vendosen në kampe. Ka rrezik për mbyllje të kampeve për mungesë fondesh.

Rreth 10,2 milionë fëmijë nuk kanë qasje në kujdesin bazik shëndetësor. Gjatë luftës civile, sëmundje të shërueshme përmes barnave si difteria, kolera, fruthi dhe malaria, janë të përhapura shumë.

Kequshqyerja është pasoja më e madhe e luftës civile. Dy milionë fëmijë më të vegjël se pesë vjet besohet se vuajnë nga kequshqyerja. Prej tyre 325 mijë kanë kequshqyerje të rëndë, akute.

Pasojat afatgjatë për fëmijët si Salwa, nëse mbijetojnë, janë të ndryshme.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët e organizatës, aktualisht janë në gjendje të ushqejnë tetë milionë njerëz, nga 13 milionë sa ishte shifra më parë. Familjet nuk kanë të ardhura apo burime financiare për të blerë ushqim. Për këtë arsye ushqimi i siguruar nga OKB-ja dhe organizatat tjera është jetik.

“Por ne mund të ofrojmë ushqimin vetëm nëse kemi para. Nëse nuk kemi para këta njerëz mbesin pa ushqim. Ata nuk kanë të ardhura. Mund të ketë ushqim në markete, por ata nuk do të kenë para për të blerë dhe fëmijët do të mbesin të uritur”, ka shtuar Lowcock.

Konflikti jemenas, që filloi në vitin 2014, pa lëvizjen Houthi të largojë qeverinë e vendit dhe të marrë kontrollin në qytetet e mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa. Qeveria e Jemenit është në mërgim që nga viti 2015, kur Arabia Saudite së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende tjera, nisën një kampanjë ushtarake që synon mposhtjen e lëvizjes Houthi. Këto vende e akuzojnë lëvizjen se ka marrë mbështetje ushtarake nga Irani.

Përshkallëzimi i rivalitetit rajonal është shoqëruar me një luftë të brendshme civile. Vendi është ndarë, zona të ndryshme kontrollohen nga fraksione të ndryshme. Dhe kriza humanitare është e jashtëzakonshme.

Fuqitë perëndimore, duke përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë përkrahur koalicionin e udhëhequr nga sauditët, në një fushatë shkatërruese ushtarake, që la të vrarë mijëra civilë në luftime dhe shumë më tepër të tjerë për shkak të përkeqësimit të gjendjes në vend.

Drejtuesi i Kombeve të Bashkuara ka thënë se zgjidhja është që të arrihet paqja. Ai ka thënë se ajo që po ndodhë në Jemen nuk është sekrete.

“Bota duhet të zgjohet dhe të vendosë nëse është e gatshme të lejojë miliona fëmijë që të vdesin, apo të parandalojë një tragjedi të madhe”, ka theksuar Mark Lowcock.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat