Irani kërcënon të hakmarret pas incidentit në uzinën bërthamore

Azia

Irani kërcënon të hakmarret pas incidentit në uzinën bërthamore

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 22:02
Iran

Irani bëri të ditur se do të hakmerret kundër çdo vendi që kryen sulme kibernetike në objektet e tij bërthamore, tha kreu i Mbrojtjes Civile iraniane, pas një zjarri në uzinën Natanz, për të cilin disa zyrtarë iranianë thanë se mund të jenë pasojë e një sabotizhi kibernetik.

Ndërkohë detajet e reja mbi objektin bërthamor iranian të dëmtuar nga një zjarr misterioz sugjerojnë se incidenti i së enjtes është një pengesë shumë më e madhe për ambiciet bërthamore të Iranit nga sa Teherani ka pranuar publikisht.

Instituti për Shkencë dhe Siguri me qendër në Uashington e identifikoi objektin si një qendër të montimit të centrifugave në Uzinën e Pasurimit të Karburantit, Natanz në provincën qendrore të Isafahanit në Iran.

Në një numër postimesh në Twitter të enjten, Instituti tregoi se si e përdori një foto të ndërtesës së dëmtuar nga zjarri të publikuar më herët gjatë ditës nga Organizata e Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) për të gjetur zonën në imazhet satelitore të Google Earth. Grupi hulumtues tha se më parë e kishte identifikuar ndërtesën si një qendër të montimit të centrifugave në vitin 2017.

Një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit në një intervistë për televizionin shtetërore iranian minimizoi dëmët e shkaktuara nga zjarri. Behrouz Kamalvandi gjithashtu tha se nuk kishte patur asnjë ndërprerje në punën e pasurimit të karburantit që përfshinte rrotullimin e centrifugave nën tokë.

"Iu desh iranianëve një kohë e gjatë për të ndërtuar këtë qendër", tha studiuesja e institutit, Sarah Burkhard në një intervistë me shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën farsi. "Ndërtimi i saj filloi në vitin 2012 dhe në vitin 2018 ata arritën në pikën e fillimit të operimit të saj", tha ajo.

Rrjeti televiziv shtetëror IRIB u leju të vizitonte objektin e quajtur "Qendra e Iranit për Montimin e Centrifugave" në qershor të vitit 2018. Më vonë një video me pamje nga kjo vizitë, ku shiheshin makineri të reja në disa dhoma të objekti u publikua në YouTube nga një gazetar i rrjetit IRIB.

Në fotografinë e publikuar nga Organizata e Energjisë Atomike të Iranit shihen dëme të mëdha në një pjesë të qendrës, me çati të nxirë nga zjarri, mure të jashtme të plasaritura dhe dyer të shkëputura nga kornizat përkatëse, me sa duket nga forca e një shpërthimi.

"Pajisjet brenda qendrës ishin në plan të përdoreshin për të bërë matje precize në montimin e centrifugave të avancuara që janë makina të ndjeshme dhe të vështira për t'u prodhuar, sepse ato duhet të jenë identike", tha studiuesja Burkhard. "Ne mendojmë se pajisjet e centrifugës ka shumë mundësi që nuk do të mund të zëvendësohen, sepse përbërësit e tyre do të duhet t'i nënshtrohen kontrolleve ndërkombëtare të eksportit", shtoi ajo.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore për të frenuar aktivitetet iraniane që mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore, u krijua një Komision i Përbashkët për monitorimin e blerjeve nga Teherani të disa materialeve bërthamore dhe materialeve me përdorim të dyfishtë për t’u siguruar që puna e tij bërthamore të qëndronte brenda kufizimeve për të cilat është rënë dakord.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Kompanisë iraniane të Teknologjisë së Centrifugave (TESA) në vitin 2011 dhe që prej asaj kohe kanë vendosur sanksione ndaj kompanive të tjera ndërkombëtare në rrjetin e prokurimeve të kompanisë TESA.

Presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit në vitin 2018, duke thënë se nuk ishte mjaft e ashpër ndaj Teheranit, dhe filloi vendosjen e njëanshme të sanksioneve që kanë për qëllim të ushtrojnë presion mbi udhëheqësit iranianë në mënyrë që ata t’i japin fund një sërë veprimesh keqdashëse. Irani, i cili ka mohuar akuzat se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, është zotuar se t'u rezistojë sanksioneve amerikane, të cilat kanë dobësuar ekonominë e vendit. Teherani gjithashtu ka shkelur një numër kufizimesh në aktivitetet e tij bërthamore që nga viti i kaluar në përpjekje për të ushtruar presion mbi nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes së vitit 2015 për ta kompensuar atë për sanksionet amerikane.

Një nga këto shkelje të Iranit ishte studimi dhe prodhimi i centrifugave të sofistikuara në qendrat si ajo që u dëmtua nga zjarri në Natanz. Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare nuk është në dijeni të ekzistencës së ndonjë qendre tjetër të ngjashme në Iran, tha studiuesja Burkhard.

"Zjarri është një pengesë e madhe në përpjekjet e Iranit për prodhimin e centrifugave të sofistikuara", tha ajo.

Burkhard tha gjithashtu se dëmi në objekt ishte aq i madh sa nuk duket se ishte shkaktuar nga një aksident industrial. Kolegu i saj David Albright i tha gazetës New York Times se ai besonte se ky ishte një akt sabotimi, sepse montimi i përbërësve të centrifugës në këtë qendër do të kishte përfshirë sasi të vogël lëngjesh që mund të rrezikonin shpërthimin e një zjarri të madh.

Pas minimizimit të pasojave të incidentit, agjensia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA lëshoi një paralajmërim më vonë të enjten, duke thënë se "nëse ka shenja të kalimit të vijave të kuqe nga vendet armiqësore të Iranit, veçanërisht nga Regjimi Zionist (Izraeli) dhe Shtetet e Bashkuara, strategjia e Iranit për të përballuar situatën e re duhet të rishikohet në mënyrë thelbësore."

Në një email dërguar shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën farsi, analisti për çështjet e Iranit i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, Behnam Ben Taleblu tha se paralajmërimi iranian sugjeron se Teherani mendon se pohimet e tij të hershme se zjarri ishte një "aksident" nuk ishin mjaft bindëse për shumë iranianë që dyshojnë për përfshirjen e elementëve të huaj.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ishte duke monitoruar raportet për zjarrin. Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, Departamenti i Shtetit tha se incidenti "shërben si një kujtesë tjetër se si regjimi iranian vazhdon të përparojë me programin e tij të gabuar bërthamor në kurriz të nevojave të popullit iranian."

"Zyrtarët iranianë kanë një arsye të fortë për të minimizuar veprimet sabotuese të elementëve të huaj në tokën e tyre, pasi kjo do t'i bënte ata të dukeshin jo kompetent", tha analisti i çështjeve të Iranit, Behnam Ben Taleblu. "Mënyra se si Irani i përgjigjet kësaj, brenda dhe jashtë vendit, do të tregojë shumë mbi origjinën e zjarrit."/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat