Përleshje të armatosura mes talibanëve dhe forcave afgane

Azia

Përleshje të armatosura mes talibanëve dhe forcave afgane

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 11:24
Harta e Afganistanit

Forcat afgane të sigurisë janë përleshur me militantët në provincën veriore afgane të Samangan, pasi një makinë bombë shpërtheu pranë një kompleksi qeveritar.

Abdul Latif Ebrahimi, guvernatori i provincës, i tha Radios Evropa e Lirë se nga incidenti kanë mbetur të vrarë disa persona.

Ai nuk ka sqaruar se sa njerëz mund të kenë vdekur në incident dhe kush ishin viktimat, por shtoi se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe madje që dritaret ishin thyer 100 metra larg.

Agjencia Reuters citoi drejtorin e shëndetësisë së provincës, Khalil Musadeq, të thoshte se së paku 43 civilë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë ishin plagosur në sulm.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por qindra anëtarë të forcave të sigurisë dhe civilë të Afganistanit janë vrarë javët e fundit nga sulmet e talibanëve.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha më 6 korrik se rritja e nivelit të dhunës, paraqet një kërcënim "serioz" për procesin e paqes me talibanët.

Një marrëveshje paqeje e nënshkruar nga talibanët dhe Shtetet e Bashkuara, në muajin shkurt, bën thirrje për negociata të drejtpërdrejta midis grupit militant dhe qeverisë së mbështetur nga Perëndimi në Kabul, Negociatat synojnë t'i japin fund luftës gati dy dekadëshe në Afganistan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat