Kina: OBSH të hetojë origjinën e COVID-19 në të gjithë botën

Azia

Kina: OBSH të hetojë origjinën e COVID-19 në të gjithë botën

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Kina ka njoftuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është pajtuar të hetojë origjinën e koronavirusit të ri (COVID-19) në të gjithë globin.

Siç raportoi e përditshmja Global Times, duke u adresuar në një konferencë për media në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Hua Chunying, tha se “dy ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) arritën në Kinë për të kryer punën e gjurmimit të origjinës të virusit COVID-19”.

“Kina dhe OBSH janë pajtuar se gjurmimi i origjinës është çështje shkencore. Prandaj, OBSH do të kryejë hetime të ngjashme në të gjithë botën”, tha Chunying.

Të premten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se dy ekspertë të OBSH-së po shkojnë në Kinë për të bashkëvepruar me shkencëtarët atje për të studiuar transmetimin e koronavisurit nga kafshët tek njerëzit.

“Përderisa vazhdojmë të përballemi me pandeminë, po ashtu po kërkojmë origjinën e virusit”, tha Adhanom, duke u adresuar në një konferencë online.

Masa e OBSH-së vjen në mes të një kritike të ashpër nga SHBA-të dhe aleatët e saj se po kërkojnë hetime për origjinën e virusit COVID-19, veprim që zemëroi Pekinin.

Shefi i OBSH-së po ashtu tha se ekspertët global të shëndetit do të përgatisin një plan shkencor me homologët e tyre kinezë për të identifikuar burimin zoonotik të virusit COVID-19.

Adhanom tha se shkencëtarët duan të mësojnë në lidhje me përparimin e bërë në kuptimin e rezervuarit të kafshëve për COVID-19 dhe se si sëmundja ngjitet tek njerëzit nga kafshët.

“Kjo do të ndihmojë në krijimin e bazave për misionin ndërkombëtar të udhëhequr nga OBSH për zbulimin e origjinës”, u shpreh ai.

Që nga shfaqja për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi në mbarë botën ka vrarë pothuajse 570 mijë njerëz.

Sipas shifrave nga Universiteti amerikan John Hopkins, SHBA, Brazili, India dhe Rusia janë vendet më të prekura nga pandemia COVID-19.

Të dhënat tregojnë se deri më tani mbi 7.1 milionë persona në mbarë botën, respektivisht më shumë se gjysma e të gjithë personave të infektuar me koronavirus janë shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat