Kinë, përkeqësohet situata me përmbytjet - Bota Sot
Kinë, përkeqësohet situata me përmbytjet

Azia

Kinë, përkeqësohet situata me përmbytjet

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 17:36
Foto

Shirat e rrëkeshëm dhe përmbytjet në Kinë vazhdojnë të shkatërrojnë banesat e të mbjella e të zhvendosin miliona banorë nga shtëpitë e tyre.

Vetëm lumi i Jancesë akumuloi në një muaj nivelin më të lartë mesatar të reshjeve që nga viti 1961, duke rezultuar në vërshime që deri tani u kanë marrë jetën 141 personave, kanë shembur 28 mijë godina dhe kanë detyruar evakuimin e mbi 37 milionë banorëve në vend.

Në provincën lindore të Xhiangshisë, një prej zonave më të goditura nga stina e shirave, autoritetet morën masa si për luftë me rritjen e gatishmërisë në shkallën maksimale.

Niveli ujit në liqenin më të madh me ujë të ëmbël të vendit kaloi lartësinë 22 metra e gjysmë, më lart sesa rekordi i vitit 1998 kur përmbytjet do të vrisnin më shumë se 3 mijë persona.

“Nivelet e ujit në 433 lumenj në Kinë kanë kaluar pikën alarmante dhe 109 prej tyre ndodhen afër pikës së vërshimit. Faza kritike pritet të arrihet në fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, kur fronti i shirave do të lëvizë drejt veriut, dhe do gjendemi përballë tri rreziqeve të mëdha natyrore siç janë vërshimet, çarja e digave dhe rrëketë malore.”

Mbi 1,500 ushtarë u shpërndanë të hënën në fshatrat e rrezikuara të Xhiangshisë për të kontribuar në përforcimin e pritave kundër përmbytjeve.

Mbi 100 fshatarë të zonës dhe të moshuar përveshën mëngët po ashtu për të mbrojtur tokat e tyre të mbjella nga vërshimi i ujërave.

“Ndoshta ky është qëllimi i një ushtari. Kur e vesh uniformën, të duket sikur ta kërkon detyra të ndihmosh.”

“Jam diplomuar për inxhinieri hidraulike, ndaj përforcimin e digave dhe punën inxhinierike në fshat i marr seriozisht.”

Dëmet direkte ekonomike nga përmbytjet e muajit të fundit i kanë kushtuar Kinës mbi 11 miliardë dollarë.

Si shkaktarë imediatë për situatën përmenden kushtet e pazakonta të motit, shtimi i lagështisë nga Oqeani Indian por edhe ndryshimet në karakteristikat e klimës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat