Pakistani u bën thirrje besimtarëve myslimanë që të blejnë Kurbanë përmes internetit

Azia

Pakistani u bën thirrje besimtarëve myslimanë që të blejnë Kurbanë përmes internetit

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 08:43
Ilustrim

Autoritetet pakistaneze po i inkurajojnë njerëzit që të blejnë kafshë për Kurban përmes internetit ose të paktën të përdorin maska kur të shkojnë në tregjet e kafshëve për shkak të frikës se përgatitjet për Kurban Bajram do ta rrisin numrin e personave të infektuar me koronavirus.

Kufizimet e vendosura nga qeveria, përfshirë ndalimin e aktivitetit për gjysmën e ditës, kanë ndikuar në rënien e numrit të njerëzve në tregjet që zakonisht janë të stërmbushura para njërës prej festave më të rëndësishme për myslimanët, shkruan “Reuters”.

Tregu kryesor i kafshëve në Karaçi, që është qyteti më i madh në këtë shtet, ishte me më pak njerëz të dielën në krahasim me vitet e kaluara para festës. Një tregtar që kishte udhëtuar qindra kilometra për të shitur kafshë në këtë treg tha se klientët e tij pothuajse janë përgjysmuar.

Shumë vizitorë të tregut nuk e respektuan kërkesën për të vendosur maska dhe disa prej tyre kishin marrë me vete fëmijë, gjë që është e ndaluar këtë vit.

“Nuk e kuptoj këtë koronavirus. Nuk e kam parë askënd të ketë vdekur prej tij. Shikoni përreth jush. Askush nuk ka vendosur maskë”, tha tregtari Muhammad Akram.

Sidoqoftë, Pakistani deri më tani i ka regjistruar gati gjashtë mijë viktima të sëmundjes Covid-19 dhe më shumë se 270 mijë të infektuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat