Iraku shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Azia

Iraku shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 15:10
Irak

Ministria e Shëndetësisë e Irakut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë shënuar 3,346 raste të reja të koronavirusit.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në shtetin e Lindjes së Mesme shkoi në mbi 124,600 persona, ndërsa 4,741 deri më tani kanë vdekur, shkruan “CNN".

Iraku është një nga shtetet e Lindjes së Mesme që po përballet me rritje të numrit të rasteve të virusit përderisa njëkohësisht po ballafaqohet me një valë të ashpër të temperaturave të larta.

Në kryeqytetin Bagdad, dy persona u vranë dhe 11 të tjerë u lënduan gjatë protestave kundër mungesës së energjisë elektrike dhe produkteve elementare. Protestat shpërthyen në Sheshin “Tahrir” më herët gjatë kësaj jave, kur temperatura arriti në 50 gradë.

Iraku mori vendim për orë policore dhjetëditore pasi numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit të dielën shkoi në mbi 100,000. Ky vendim erdhi vetëm disa ditë para Kurban Bajramit.

Kjo festë zakonisht shënohet me ceremoni masive dhe tubime familjare, por sivjet ajo është festuar më ndryshe për shkak të virusit. Pelegrinazhi në Mekë, ku zakonisht çdo vit shkojnë rreth dy milionë njerëz, sivjet kishte vetëm një mijë pjesëmarrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat