Nagasaki shënon 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike - Bota Sot
Nagasaki shënon 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike

Azia

Nagasaki shënon 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 12:27
Nagasaki. Foto nga arkivi.

Qyteti japonez Nagasaki më 9 gusht shënoi 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike nga SHBA-ja, duke iu bërë thirrje liderëve që të bëjnë më shumë në ndalimin e armëve bërthamore.

Në orën 11:02 – në kohën e saktë kur bomba atomike u hodh mbi këtë qytet – të mbijetuarit dhe pjesëmarrësit e tjerë mbajtën një minutë heshtje për të nderuar mbi 7,000 viktimat.

Bombardimi i 9 gushtit të vitit 1945, erdhi tri ditë pasi Shtetet e Bashkuara hodhën bombën e parë atomike në Hiroshima – sulmin e parë në botë me një armë bërthamore. Nga sulmi në Hiroshima u vranë 140,000 persona.

Japonia ishte dorëzuar më 15 gusht, 1945, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Kryetari i qytetit të Nagasakit, Tomihisa Taue e lexoi një deklaratë të paqes, ku ai ngriti shqetësimet lidhur me zmbrapsjen nga përpjekjet për çarmatim, të shteteve që kanë armë bërthamore.

Taue veçanërisht përmendi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, duke thënë se po rrisin rrezikun e kërcënimit bërthamor, duke hequr dorë nga Traktati për armët bërthamore.

“Si rezultat i kësaj, kërcënimi se armët bërthamore mund të përdoren po bëhet edhe më shumë real”, tha ai.

Ai po ashtu i bëri thirrje Qeverisë japoneze dhe ligjvënësve që të nënshkruajnë Traktatin e vitit 2017 për ndalimin e armëve bërthamore.

Shënimi i këtij përvjetori të sulmit në Nagasaki ishte më ndryshe këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në ngjarjet për të shënuar këtë ditë morën pjesë vetëm 500 persona, ndërkaq, një vit më parë, kishin marrë pjesë 5,900 njerëz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat