Arrestohet njëri ndër biznesmenët më të njohur në Hong Kong - Bota Sot
Arrestohet njëri ndër biznesmenët më të njohur në Hong Kong

Azia

Arrestohet njëri ndër biznesmenët më të njohur në Hong Kong

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 11:13
Biznesmeni Jimmy Lai gjatë arrestimit.

Në Hong Kong është arrestuar biznesmeni, Jimmy Lai, nën akuzat për bashkëpunim me forcat e huaja.

Zyrat e një gazete në pronësi të tij janë bastistur.

Ky është arrestimi i një profili më të lartë deri më tani sipas ligjit të diskutueshëm të sigurisë të vendosur nga Kina në muajin qershor.

Lai ka qenë një zë pro-demokracisë dhe një mbështetës i protestave që shpërthyen vitin e kaluar.

Në shkurt 71-vjeçari, i cili gjithashtu zotëron nënshtetësinë në Mbretërinë e Bashkuar, u akuzua për kërcënim dhe organizim të tubimeve të paligjshme.

Media shtetërore kineze Global Times të hënën e përshkroi biznesmenin Lai si "përkrahës të trazirave " dhe publikimet e tij si "nxitje të urrejtjes, përhapje të thashethemeve dhe njollosje të autoriteteve të Hong Kongut".

Global Times gjithashtu raportoi se dy djemtë e tij si dhe dy drejtuesit të kompanisë Next Digital, gjithashtu ishin arrestuar.

Hong Kongu ka pasur një shkallë të lartë të autonomisë që kur u kthye në sundimin kinez më 1997, dhe banorët kanë pasur një nivel shumë më të lartë të lirisë së shprehjes dhe mediave sesa njerëzit në pjesën tjetër të territorit kinez.

Legjislacioni i ri i sigurisë i miratuar nga Kina, kriminalizon ndarjen, përmbysjen e pushtetit shtetëror, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forcat e huaja.

Kjo e bën më të lehtë ndëshkimin e protestuesve dhe zvogëlon autonominë e Hong Kongut.

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar miratimin e këtij ligji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat