Çmimi i “diplomacisë së vaksinave” të Pekinit në Azinë Juglindore

Azia

Çmimi i “diplomacisë së vaksinave” të Pekinit në Azinë Juglindore

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 21:16
Foto ilustrim

dërsa Kina ka pohuar publikisht se është pranë prodhimit të një vaksine për të luftuar koronavirusin, Pekini ka nisur të premtojë qasje të hershme për ato vende ndaj të cilave ka interesa strategjike. Përpjekja po shihet gjerësisht si një mënyrë që Pekini të forcojë pozitën e tij globale pas shpërthimit të koronavirusit në Wuhan e që më pas u përhap në pjesën tjetër të botës. Shumë vende të Azisë Juglindore me pretendime të ndryshme në Detin e Kinës së Jugut janë bërë objekte të fushatës diplomatike të Pekinit të lidhur me vaksinën. Në korrik, ministria kineze e Punëve të Jashtme u premtoi Filipineve përparësi mbi qasjen ndaj vaksinës.

Në gusht, “Sinovac”, një kompani e madhe farmaceutike kineze, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë farmaceutike shtetërore indoneziane "PT Bio Farma" për t'i siguruar Xhakartës 250 milionë doza vaksine çdo vit. Në fillim të shtatorit, anëtari i Byrosë Politike kineze, Yang Jiechi, vizitoi Mianmarin dhe premtoi se Pekini do t'i jepte përparësi këtij vendi nëse do të zhvillonte një vaksinë.

"Për shumicën e qeverive në rajon, çfarëdo tjetër që ata mund të kenë, pavarësisht nëse lidhet me Detin e Kinës Jugore ose ndonjë çështje tjetër, pandemia është e para", thotë Gregory Poling, ekspert për Azinë Juglindore në Qendrën e studimeve strategjike e Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington.

"Ata mund t'i shohin gjërat që Pekini bën si të papëlqyeshme, mund të mos pëlqejnë që heshtin mbi mosmarrëveshjet, por nëse vaksinat kineze janë të vetmet vaksina ku ata do të kenë qasje, ata do të bënin gjithçka të ishte e mundur për t'i siguruar", tha ai për Zërin e Amerikës.

"Më shqetëson shumë fakti që Kina favorizon disa kombe lidhur me vaksinën", i tha “Zërit të Amerikës” Lawrence Gostin, profesor për Ligjit ndërkombëtar të Shëndetit në universitetin Georgetown. “Kjo mund të ketë një çmim të lartë, duke i siguruar Kinës përfitime politike, ekonomike dhe ushtarake. Një vaksinë që shpëton jetë nuk duhet të shkëmbehet kurrë për përfitime apo ndikim politike”.

Pikat e nxehta të COVID-19

Rastet me COVID-19 janë në rritje në Azinë Juglindore. Sipas të dhënave të CSIS-së, Indonezia dhe Filipinet kanë numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara në rajon, respektivisht rreth 200 dhe 250 mijë të prekur. Singapori ka gati 60 mijë raste dhe Mianmari po raporton një rritje të shpejtë të infeksioneve me COVID-19.

"Vlera e një vaksine efektive është tejet e madhe, burimi më i rëndësishëm mjekësor në historinë e kohëve të fundit", i tha zoti Gostin Zërit të Amerikës. "Kjo do të shpëtonte jetë të panumërta dhe do të vinte ekonomitë në lëvizje", tha ai.

SHBA, Kina dhe Britania janë kandidatët kryesorë në garën globale për zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19. Kina aktualisht ka dy variante pilot vaksinash. Njëra njihen si vaksina e paaktivizuara, që përdor një version të vrarë të mikrobit që shkakton sëmundjen, me qëllimin për ta mësuar trupin se si të shmangë një version të drejtpërdrejtë të tij si dhe një vaksinë të teknologjisë së lartë, ARN (acidi ribonukleik) në fazën tretë të tyre.

Sipas mediave shtetërore kineze, Pekini ka injektuar me këto vaksina eksperimentale grupet në rrezik të lartë që prej muajit korrik.

SHBA-ja dhe Britania gjithashtu kanë disa vaksina të mundshme që po hyjnë në fazën e tretë të tyre.

Vende si Indonezia dhe Filipinet, të cilave u mungon aftësia për të zhvilluar ose prodhuar në masë vaksina, i kanë varur shpresat jashtë vendit. Qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë siguruar paraprakisht dhjetëra miliona doza nga kompani të mëdha farmaceutike.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë Alex Azar tha se Uashingtoni do ta shpërndajë vaksinët vetëm pasi të plotësohen të gjitha nevojat për vaksina në vend.

"Ata duhet të presin në radhë nëse duan t'i blejnë këto vaksina, që do të thotë se nuk kanë mundësi tjetër përveç Kinës ose Rusisë", i tha zoti Poling “Zërit të Amerikës”.

Vaksina, një përparësi

Pas fluksit të rasteve në Kinë, që më pas përhapi COVID-19 jashtë vendit në fillim të vitit 2020, Pekini mori masa të kontrollonte epideminë brenda kufijve, me masa të rrepta izolimi dhe testim masiv. Tani Kina po ofron që nëse zhvillon një vaksinë efektive, ta ndajë atë me vende të tjera.

Pavarësisht nga pandemia, sjellja agresive e Kinës në detin e Kinës së Jugut, ka shkaktuar ankesa nga Shtetet e Bashkura dhe palë të tjera të interesuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi në korrik se shfrytëzimi nga Kina i burimeve në rajon, është i paligjshëm. Në gusht, delegacioni Australian përdori të njëjtin përcaktim në një deklaratë zyrtare në Kombet e Bashkuara.

Edhe vendet e ASEAN-it kishin miratuar një qëndrim më të ashpër në fillim të vitit. Indonezia po punonte për të nxitur një kod sjelljeje për detin e Kinës së Jugut. Vietnami, vendi që ka kryesinë e radhës së ASEAN-it, i ka kritikuar hapur përplasjet me forcat kineze në rajon.

Zoti Poling tha se kjo është arsyeja që ai nuk mendon se Vietnami do të mund të ketë qasje të hershme tek vaksinat kineze.

“Vietnamezët ishin të parët që bënë porosi për një sasi të madhe dozash të vaksinës ruse që tregon se sa e vështirë është për Hanoin të gëlltisë idenë që mund t’i duhet të ketë varësi tek Pekini”, tha ai.

Vendet e ASEAN-it kishin shpresuar që Indonezia të merrte rol udhëheqës në negociastat me Kinën lidhur me konfliktin e Detit të Kinës së Jugut. Por kur rastet me COVID-19 u shtuan në masë, kjo çështje gjeopolitike është lënë mënjanë.

“Përparësia tani është një vaksinë efektive”, tha Shiskha Prabawaningtyas, drejtore e Fakultetit të Diplomacisë Paramadina në Xhakarta.

Ajo shtoi se si media, edhe publiku në vend duket se po shprehen më pozitivisht ndaj rezultateteve të vaksinave kineze.

“Linja mbizotëruese në media dhe në media sociale është më shumë e prirur drejt temës se ‘kur saktësisht’ do të jetë gati vaksina kineze”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Në Filipine, popullariteti i Presidentit Rodrigo Duterte është në nivelin më të ulët të presidencës së tij, që mund të jetë e lidhur me përgjigjen e qeverisë ndaj COVID-19-ës.

Në korrik ai tha se i kishte kërkuar presidentit kinez Xi Jinping që t’i jepte Manilës përparësi në qasjen tek vaksina, duke shtuar se nuk do të hapte konflikt me Kinën në mosmarrëveshjen për detin e Kinës së Jugut.

“Kina ka pretendime në detin e Filipineve Perëndimore. Ne po ashtu. Kina ka armët, ne jo. Është e thjeshtë”, tha ai.

Poling vuri në dukje se asgjë nuk është pa kosto.

“Diplomatët kinezë nuk do thonë: pranoni pretendimet tona në këmbim të vaksinës, por është e nënkuptuar”, thotë ai.

Mianmari të cilit i është premtuar përparësi në qasjen tek vaksina, do të mbajë zgjedhje në nëntor.

“Aung Sang Suu Kyi dhe partia e saj kanë një marrëdhënie miqësore me qeverinë kineze dhe Kina do të donte që ata të fitonin përsëri në zgjedhje”, tha Khin Zaw Win, drejtor i Institutit Tampadipa në Yangon.

Ai shtoi se një numër projektesh të mëdha infrastrukturore janë finalizuar mes Pekinit dhe Yangonit dhe një vaksinë e suksesshme ve\se do ta forconte bashkëpunimin.

Megjithatë ai tërhoqi vëmendjen se në pjesën më të madhe të popullsisë ka “mosbesim të thellë, si për vaksinën ashtu edhe për motivet e Kinës”.

Huang Yanzhong, studiues për Shëndetin Global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, e vlerëson gjestin e Kinës për premtimin ndaj vendeve të tjera për vaksinën, por tërheq vëmendjen për skenare të mundshme nëse vaksinat nuk rezultojnë efektive.

“Ekziston edhe një rrezik. Kina nuk mund të kontrollojë median në këto vende. Kështuqë nëse vaksina nuk është efektiv sa ç’duhet, apo ka pasoja anësore, kjo fushatë publike për vaksinën, do të kishte pasoja të padëshirueshme për imazhin global të Kinës”, thotë ai.

Zoti Poling tha se situata politike në Filipine është veçanërisht shpërthyese.

“Është çështja e detit të Kinës së Jugut, mosbesimi ndaj Kinës, është popullariteti mjaft i ulët i Dutertes për shkak të përgjigjes së dobët ndaj COVID-it. Prandaj nëse ka një vend ku kjo mund të japë efektin e kundërt, apo të krijojë reagim të ashpër publik, do të jetë Manila”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat