Kompania kineze thotë se vaksina anti-Covid do të jetë gati në fillim të vitit 2021

Azia

Kompania kineze thotë se vaksina anti-Covid do të jetë gati në fillim të vitit 2021

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 00:38
Foto ilustrim

Një nga tre kompanitë kineze që po mëton të zhvillojë vaksinën anti-COVID-19 deklaroi të enjten se brenda fillimit të vitit të ardhshëm ajo do të jetë gati për t’u shpërndarë në mbarë botën.

Drejtuesi Ekzekutiv i SinoVac, Yin Weidong, tha se ai personalisht e ka marrë dozën provë të vaksinës që kompania po zhvillon dhe se aktualisht janë më shumë se 24 mijë persona që po marrin pjesë në fazën e tretë të testeve në vende si Brazili, Turqia, apo dhe Indonezia.

Në Kinë aktualisht janë 4 vaksina që premtojnë të jenë të suksesshme. Një po zhvillohet nga SinoVac, kompania shtetërore SinoPharm po zhvillon dy dhe një tjetër po e zhvillon kompania CanSino.

Aktualisht asnjë vaksinë nuk e ka kaluar fazën e tretë të testimeve, standard ky i kërkuar ndërkombëtarisht përpara se ajo të hidhet në treg të gjerë.

Planet e SinoVac janë që ajo të prodhojë dhe shpërndajë disa qindra milionë doza në mbarë botën brenda muajit shkurt ose mars 2021.

Bashkimi Evropian, SHBA’ja, Japonia dhe Australia kanë bllokuar historikisht shitjen e vaksinave kineze në vendet e tyre, megjithatë Yin Weidong shprehet optimist se gjërat do të ndryshojnë.

Në verë Kina lejoi përdorimin për arsye emergjence të vaksinave që po zhvillojnë tre kompanitë farmaceutike të saj, kjo sipas një plani që në rast të një vale tjetër infeksioni personeli i shërbimit publik të mos preket.

Weidong ka treguar se në kompaninë e tij është vepruar me të njëjtën filozofi ku rreth 90 për qind e personelit janë vaksinuar me vaksinën që nuk ka marrë ende aprovimin përfundimtar.

Ai është shprehur se edhe vetë e ka marrë një dozë dhe nuk ka pasur “efekte serioze anësore”.

Prej dhjetorit 2019 kur infeksioni buroi në Wuhan të Kinës, mbi 32 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga COVID-19. Numri i viktimave po i afrohet 1 milionëshit, ndërsa SHBA-ja, Brazili, India dhe Meksika janë ndër shtetet që janë prekur më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat