Rrëfimi i të burgosurve të Koresë së Veriut: Tortura, përdhunimet dhe rrahje

Azia

Rrëfimi i të burgosurve të Koresë së Veriut: Tortura, përdhunimet dhe rrahje

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Tortura sistematike, abuzimi seksual dhe kushtet ekstreme shëndetësore sundojnë burgjet e Koresë së Veriut, sipas një raporti të ri të hollësishëm nga organizata amerikane, Human Rights Watch (HRW).

Ky dokument me 88 faqe tregon sistemin e drejtësisë penal të shtetit komunist, në të cilin të dyshuarit “vlejnë më pak se kafshët”, shkruan CNN. Raporti bazohet në intervista me dhjetëra të burgosur dhe ish-zyrtarë shtetërorë dhe përqendrohet në kushtet çnjerëzore në mjediset e burgjeve.

“Sistemi i burgjeve i Koresë së Veriut është i dhunshëm, mizor dhe poshtërues. Koreanët kanë frikë të vazhdueshme që mos të kapen nga sistemi, ku procedurat zyrtare janë zakonisht të parëndësishme dhe e vetmja rrugëdalje është përmes ryshfetit dhe lidhjeve”, tha Brad Adams, drejtori i degës së HRW në Azi.

Në një dëshmi për HRW, ish e burgosura, Lim Ok Kyung tha se u arrestua në vitin 2014 për kontrabandë me mallra nga Kina. Meqenëse burri i saj ishte anëtar i partisë në pushtet, ai arriti të sigurojë që ajo të lihej e lirë pas dhjetë ditësh. Sidoqoftë, Kyung tha se ishte rrahur dhe abuzuar disa herë në dhjetë ditët e fundit.

“Rojet thjesht kalonin pranë dhe më godisnin me duar ose më shkelmonin. Ditën e pestë, ata më detyruan të qëndroja gjithë ditën dhe nuk më linin të flija”, tha Kyung.

Dëshmitë e tjera përkojnë me pretendimet për rrahje dhe tortura. Disa ish të burgosur thanë se duhej të uleshin në gjunjë ose me këmbët e kryqëzuara për 16 orë. Nëse ata lëviznin, do të rriheshin më tej.

Ish të burgosurit thanë se ata ishin abuzuar seksualisht ose përdhunuar në qelitë e tyre. Kim Sun Young tha se ishte ngacmuar nga dy ose tre oficerë policie, kështu që ajo nuk ishte në gjendje të rezistonte. Të burgosurit gjithashtu u ankuan për mungesën e nevojave themelore në paraburgim, të tilla si sapun ose batanije.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat