Moratoriumi për kafshët ekzotike në Kinë/ Besohet se konsumimi i gjitarëve të egër ndikoi në përhapjen e Covid-19

Azia

Moratoriumi për kafshët ekzotike në Kinë/ Besohet se konsumimi i gjitarëve të egër ndikoi në përhapjen e Covid-19

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 15:07
Foto Ilustrim

Me përhapjen e infeksionit të kovidit-19 në vend dhe tashmë të 50 milionë vetave të tjerë në mbarë globin, Kina vendosi në shkurt të ndalojë shitblerjen e kafshëve ekzotike.

Shkencëtarët besojnë se koronavirusi i ri e pati origjinën te lakuriqët e natës dhe mund të jetë përcjellë te njerëzit nëpërmjet një specieje të ndërmjetme si gjitarët pangolin.

Si vatër fillestare e koronavirusit u identifikua tregu i kafshëve të egra në qytetin e Uhanit.

Prokuroria kineze njoftoi të hënën se në nëntë muajt e parë ka ndjekur penalisht më shumë se 15 mijë persona që provuan të shkelin moratoriumin e qeverisë.

U arrestuan 7 mijë prej tyre  për shkelje të kufizimeve në peshkim, rreth 4 mijë raste u ndoqën për gjueti të paligjshme dhe 3 mijë persona për blerje, transportim dhe shitje të jashtëligjshme të kafshëve të egra në rrezik zhdukjeje.

Sfidë tashmë janë bërë shitjet nga interneti që po përdoren në mënyrë klandestine.

Në muajin shkurt, Pekini bëri të ditur se do e rishikojë kornizën e vet ligjore për këtë fushë, por institucionet ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve të egra thonë se propozimet e deritanishme nuk mjaftojnë.

Do ndalohet konsumimi i disa kafshëve të egra, por do vazhdojnë përjashtimet për qëllime mjekësore, siç është shitja e zhguallit të pangolinëve, kockat e leopardëve, lëkura e elefantit, dhe vreri i arinjve që disa mjekë tradicionalë kinezë besojnë se kurojnë sëmundje të ndryshme.

Në muajt e pandemisë, Kina vetë ka regjistruar mbi 90 mijë të prekur nga kovidi-19 dhe raste sporadike vijojnë të identifikohen përditë, ndërsa mbi 4,700 veta raportohen zyrtarisht të kenë mbetur viktima të koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat