Organizatorët e Olimpikeve në Tokio planifikojnë 18 aktivitete-provë

Azia

Organizatorët e Olimpikeve në Tokio planifikojnë 18 aktivitete-provë

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 19:20
Tokio

Olimpiket e vonuara po tregojnë shenja jete. Të premten, organizatorët japonezë njoftuan një seri aktivitetesh provë që do të zhvillohen nga marsi deri në maj.

Olimpiket verore të Tokios planifikohet të fillojnë më 23 korrik 2021, pasi u shtynë tetë muaj më parë si rezultat i koronavirusit.

Njoftimi për 18 aktivitetet-provë u bë në një konferencë për shtyp të zhvilluar përmes internetit, të njëjtën ditë kur autoritetet lokale të Tokios njoftuan një numër rekord prej 570 infektimesh të reja në kryeqytetin e vendit.

Megjithëse Japonia ka qenë më e suksesshme në përgjigjen ndaj pandemisë se shumë vende të tjera, kohët e fundit janë regjistruar ritme të shtuara infeksionesh në këtë vend me 125 milionë banorë ku ka pasur rreth 2000 viktima nga COVID-19.

Zyrtarët thonë se të paktën katër nga aktivietetet-provë do të përfshijnë konkurrentë nga vende të tjera, përfshirë prova në not, gjimnastikë, kërcim nga trampolina dhe volejboll.

Më 9 maj është planifikuar një garë atletike në stadiumin e ri kombëtar, por nuk është e qartë nëse do të lejohen të marrin pjesë konkurrentë nga jashtë.

Hidemasa Nakamura, zyrtar për organizimin e Olimpikeve, tha se asnjë nga aktivitetet nuk do të zhvillohet me spektatorë të huaj, megjithëse do të ketë spektatorë vendas, por nuk është i ditur numri.

Disa aktivitete do të zhvillohen pa konkurrentë, por thjesht për të vënë në provë operacionet organizatore.

Kohët e fundit Japonia ka zhvilluar gara sportive pa tifozë. Ndeshja e fundit e ligës profesioniste të basketbollit u ndoq nga afro 19,000 tifozë në një stadium me 38,000 vende në Fukuoka. Në fillim të muajit disa mijëra vetë ndoqën një kampionat ndërkombëtar të gjimnastikës në Tokio.

“Për sa u përket spektatorëve, do të ndjekim udhëzimet e qeverisë japoneze,” tha Yasuo Mori, i cili punon në ekipin organizator të Olimpikeve.

Njoftimi i komitetit organizator të Tokios pason përpjekje disa mujore për të bindur sportdashësit botërorë, kompanitë sponsorizuese dhe publikun japonez se Olimpiket dhe Olimpiket Speciale të Tokios do të zhvillohen, pavarësisht pandemisë.

Organizatorët pritet të njoftojnë një sërë masash kundër COVID-it muajin e ardhshëm, megjithëse masat kushtëzohen nga ndryshimi i rrethanave gjatë vitit të ardhshëm.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili ishte në Tokio këtë muaj për bisedime mbi organizimin e lojërave, pohoi se një pjesë e madhe e planeve varet nga prodhimi i vaksinave dhe mundësia për të zhvilluar teste të shpejta.

Ai tha se këto masa nuk janë zgjidhje perfekte, por ndihmojnë nëse vazhdon distancimi social, vënia e maskave dhe kushte të ngjashme me karantinën në fshatin olimpik.

Zoti Bach tha se atletëve nuk do t’u kërkohet të vaksinohen, duke shtuar se sportistët, të cilët janë në moshë të re, nuk kanë përparësi para miliona punonjësve të kujdesit shëndetësor, të moshuarve apo individëve të tjerë më në rrezik.

Ai la të kuptohej se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të mbulojë një pjesë të kostos së vaksinës, por nuk ofroi hollësi të tjera, ndërkohë që kostoja e organizimit të lojërave vazhdon të rritet si rezultat i vonesave.

Tokioja ka thënë zyrtarisht se po shpenzon 12.6 miliardë dollarë për organizimin e Olimpikeve, megjithëse një auditim i zhvilluar vitin e kaluar parashikon një shumë dy herë më të lartë.

Zyrtarët e lojërave thonë se në Japoni do të lejohen 11,000 konkurrentë në Olimpike, 4,400 konkurrentë në Olimpiket Speciale, si dhe dhjetëra mijëra zyrtarë, arbitra, figura shtetërore, sponsorizues, si dhe gazetarë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat