Irani, ndërtime në objektin bërthamor të Fordos

Azia

Irani, ndërtime në objektin bërthamor të Fordos

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 21:44
Iran

Irani ka filluar punime në njërin prej objekteve të tij bërthamore nëntokësore në Fordo, mes tensioneve me Shtetet e Bashkuara rreth programit të tij atomik, siç tregojnë fotot satelitore të marra të premten nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Irani nuk ka konfirmuar publikisht ndonjë ndërtim të ri në Fordo, zbulimi i të cilit nga perëndimi në 2009 u bë gjatë një raundi të hershëm tensionesh përpara se fuqitë botërore të arrinin marrëveshjen bërthamore me Teheranin në vitin 2015.

Ndërsa synimi i ndërtesës mbetet i paqartë, çdo lloj punimi në Fordo ka të ngjarë të ringjallë shqetësim në ditët e fundit të administratës së Presidentit Donald Trump përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Irani ka filluar ndërtime në objektin e tij bërthamor Natanz pas një shpërthimi misterioz në korrik atje që Teherani e përshkroi si sabotazh.

"Çdo ndryshim në këtë objekt do të shikohet me kujdes si një sinjal i drejtimit të mëtejshëm të programit bërthamor të Iranit," thotë Jeffrey Lewis, një ekspert në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Middlebury, që studion Iranin.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), inspektorët e së cilës janë në Iran si pjesë e marrëveshjes bërthamore, nuk pranoi të komentojë. IAEA ende nuk ka thënë publikisht nëse Irani e ka informuar për ndonjë ndërtim në Fordo.

Ndërtimi në Fordo filloi në fund të shtatorit. Imazhet satelitore të marra nga Maxar Technologies nga AP tregojnë aktivitet ndërtimi në një zone veriperëndimore të objektit, pranë qytetit të shenjtë shiit Qom rreth 90 kilometra në jugperëndim të Teheranit.

Një foto satelitore e 11 dhjetorit tregon diçka që duket si themel i gërrmuar me dhjetëra shtylla për një ndërtesë. Shtylla të tilla mund të përdoren për të përforcuar ndërtesat në zonat e tërmetit.

Kantieri i ndërtimit ndodhet në veriperëndim të objektit nëntokësor të Fordos, ndërtuar thellë brenda një mali për ta mbrojtur atë nga sulmet e mundshme ajrore. Ndodhet pranë ndërtesave të tjera të kërkimit dhe zhvillimit në Fordo.

Mes tyre është Qendra Kombëtare e Teknologjisë së Vakuumit të Iranit. Kjo teknologji është një element kritik i centrifugave të Iranit që pasurojnë uraniumin.

Një llogari në Twitter e quajtur Observer IL në fillim të kësaj jave publikoi një imazh të Fordos që tregon ndërtimet, duke cituar si burim Institutin e Kërkimit Hapësinor të Koresë së Jugut.

AP më pas arriti të kontaktonte përdoruesin e saja adrese në Twitter, i cili e identifikoi veten si një ushtar në pension i Forcave Izraelite të Mbrojtjes me karrierë në inxhinieri civile. Ai kërkoi që emri i tij të mos botohej për shkak kërcënimet e mëparshme që kishte marrë në internet. Instituti i Kërkimeve Hapësinore Korene e pranoi që ishte autori i fotografisë satelitore.

Presidenti Trump në vitin 2018 i nxorri në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit, në të cilën Teherani kishte rënë dakord të kufizonte pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Zoti Trump përmendi programin e raketave balistike të Iranit, politikat e tij rajonale dhe çështje të tjera si arsye për tërheqjen nga marrëveshja, megjithëse marrëveshja u përqendrua tërësisht në programin atomik të Teheranit.

Kur Shtetet e Bashkuara shtuan sanksionet, Irani gradualisht dhe publikisht hoqi dorë nga kufizimet e marrëveshjes pasi një sërë incidentesh përshkallëzuese çuan të dy vendet në prag të luftës në fillim të vitit. Tensionet mbeten akoma të larta.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani ra dakord të ndalte pasurimin e uraniumit në Fordo dhe ta shndërronte atë në "një qendër bërthamore, fizike dhe teknologjike".

"Ky objekt kishte një vend qendror në negociatat që çuan në marrëveshjen bërthamore të Iranit," tha zoti Lewis. "Shtetet e Bashkuara këmbëngulën që Irani ta mbyllte atë ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit tha që mbajtja e saj ishte një vijë e kuqe."

Që nga rrëzimi e marrëveshjes, Irani ka rifilluar pasurimin në atë objekt.

I mbrojtur nga malet, objekti rrethohet edhe nga armë anti-ajrore dhe fortifikime të tjera. Ajo ka përmasat e një fushe futbolli, ku mund të vendosen 3000 centrifuga, por zyrtarët amerikanë dyshojnë gjithashtu se ajo mund të kishte qëllime ushtarak kur ata ekspozuan objektin publikisht në vitin 2009.

Aktualisht Irani po pasuron uranium me përqendrim 4.5%, në kundërshtim me atë që parashikonte marrëveshja prej 3.67%. Parlamenti i Iranit ka miratuar një projektligj që i kërkon Teheranit të pasurojë deri në 20%, pranë niveleve të shkallës së pasurimit që do ta kthente në armë prej 90%. Projektligji gjithashtu parashikon dëbimin e inspektorëve të IAEA-s.

Ekspertët thonë se Irani tani ka grumbulluar një sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar për të ndërtuar të paktën dy armë bërthamore, nëse zgjedh ta bëjë një gjë të tillë. Irani këmbëngul se programin i tij bërthamor është paqësor.

Ndërsa Presidenti iranian Hassan Rouhani kundërshtoi projekt-ligjin, Këshilli i Lartë i vendit më vonë e ndryshoi dhe e miratoi atë. Projekt-ligji synon të ushtrojë presion ndaj vendeve evropiane për të siguruar lehtësimin e sanksioneve paralizuese të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, një shkencëtar iranian i cili krijoi programin ushtarak bërthamor dy dekada më parë u vra në një sulm me armë jashtë Teheranit. Irani ka fajësuar për sulmin Izraelin, i cili dyshohet prej kohësh për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë gjatë dekadës së fundit,. Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat