Kryerabini i Izraelit lutet për siguri për familjen sunduese të EBA-së

Azia

Kryerabini i Izraelit lutet për siguri për familjen sunduese të EBA-së

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Rabini kryesor i Izraelit përuroi një kopsht parashkollor hebre në Dubai dhe bëri një ritual të veçantë hebre për sigurinë e familjes sunduese në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rabini Sefardi Yitzhak Yosef arriti në shtetin e Gjirit të enjten, duke shënuar vizitën e tij të parë në një vend arab.

Llogaria zyrtare e Izraelit në Twitter në gjuhën arabe publikoi foto të rabinit Yosef ndërsa përuronte shkollën e re hebraike në Dubai.

Si pjesë e vizitës së tij, rabini Yosef emëroi Levi Duchman si rabin të komunitetit hebre në EBA dhe përuroi një sinagogë të re në kryeqytetin Abu Dhabi, sipas gazetës Times of Israel.

Rabini hebre gjithashtu u takua me zyrtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke përfshirë ministrat e tolerancës, kulturës dhe shëndetësisë.

Sipas shifrave izraelite, rreth 3.000 hebrenj jetojnë në EBA, kryesisht në Dubai dhe Abu Dhabi.

Izraeli dhe EBA-ja nënshkruan një marrëveshje të sponsorizuar nga SHBA-ja në shtator për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, një veprim që u pasua nga Bahreini dhe Sudani, dhe së fundmi nga Maroku.

Marrëveshjet e normalizimit janë dënuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat