Indonezia nis hetimet për aeroplanin e zhdukur

Azia

Indonezia nis hetimet për aeroplanin e zhdukur

Më: 9 janar 2021 Në ora: 20:15
Të afërmit presin në terminalin e aeroportit ndërkombëtar Soekarno-Hatta, pasi fluturimi SJ182 humbi kontaktet (Xhakartë, Indonezi, 9 janar 2021).

Ministria indoneziane e Transportit njoftoi se kompania Sriwijaya Air ka humbur të shtunën kontaktet me një nga avionët e saj të pasagjerëve pak pas nisjes nga Xhakarta. Avioni kishte në bord 62 njerëz.

Avioni, me numër fluturimi SJ182, po udhëtonte drejt Pontianak-ut, kryeqyteti i provincës perëndimore të vendit Kalimantan, që ndodhet në ishullin Borneo, thanë zyrtarë të ministrisë.

Shërbimi i gjurmimit të fluturimeve, Flightradar24, tha se avioni Boeing 737, "në më pak se një minutë kishte humbur lartësinë me më shumë se 10,000 metra ” dhe se kjo kishte ndodhur “rreth katër minuta pas nisjes nga Xhakarta”.

"Aktualisht po bëhen hetime për aeroplanin e zhdukur, një proces i koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit dhe Komitetin Kombëtar të Sigurisë në Transport", tha zëdhënësja e qeverisë Adita Irawati në një deklaratë.

Ministri indonezian për Transportin Budi Karya u tha gazetarëve se Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit dhe anije ushtarake janë vënë në dispozicion për kërkimet.

Ministri tha se avioni u ngrit në orën 2:36 pasdite me orën lokale, por katër minuta më vonë, kulla që kontrollon trafikun ajror i humbi kontaktet me të. "Brenda disa sekondash avioni u zhduk nga radari", shtoi ai.

Shefi ekzekutiv i linjës ajrore, Jefferson Irwin Jauwena, u tha gazetarëve se ngritja e avionit ishte vonuar me 30 minuta për shkak të shirave të fuqishme.

Një zyrtar i Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit, Bambang Suryo Aji, konfirmoi se ishin gjetur pjesë nga aeroplani në ishullin Lancang. Ai tha se ato do t'i dërgohen Komisionit Kombëtar mbi Sigurinë në Transport.

Në një konferencë virtuale për shtyp, kreu i kësaj agjencie Soerjanto Tjahjono, tha se po punohet për të mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe se " kërkimet për kutinë e zezë do të fillojnë nesër në mëngjes".

Punonjësit e Zërit të Amerikës në Pontianak raportuan se anëtarë të familjeve të personave në bordin e avionit janë mbledhur në aeroportin Supadio, për të marrë më shumë informacion mbi ngjarjen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat