Zhytësit në Indonezi kërkojnë kutinë e zezë të avionit

Azia

Zhytësit në Indonezi kërkojnë kutinë e zezë të avionit

Më: 11 janar 2021 Në ora: 10:03
Indonezi

Marina e Indonezisë ka publikuar pamjet e zhytësve të cilët kërkojnë nëpër rrënojat e aeroplanit i cili u rrëzua gjatë fundjavës me 62 persona në bord.

Sriwijaya Air Boeing 737 u largua nga Xhakarta me 62 persona në bord, por u zhduk nga radarët menjëherë pas ngritjes.

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur tashmë pjesë nga aeroplani dhe mbetje njerëzore.

Një zyrtar theksoi urgjencën e misionit të kërkimit i cili rifilloi të hënën në mëngjes, duke e quajtur atë një operacion 24-orësh.

“Do të jetë një operacion gjatë gjithë ditës,”u tha gazetarëve kreu i operacioneve të rrëzimit të agjencisë së kërkimit dhe shpëtimit.

“Nuk do të ketë pushime. Sa më shpejt t’i gjejmë viktimat, aq më mirë.”

Sipas burimeve rreth 2600 persona janë të përfshirë në operacionin e kërkimit së bashku me dhjetëra anije dhe helikopterë, të cilët po tërheqin pjesët e trupit, rrënojat dhe veshjet e pasagjerëve nga ujërat me thellësi rreth 23 metra.

Ka gjithashtu më shumë se 50 anije të përfshira në kërkimin e rrënojave të fluturimit SJ182, së bashku me 13 avionë.

Duket se nuk ka shpresë për të gjetur ndonjë të mbijetuar. Një hetues në Komitetin Kombëtar të Sigurisë së Transportit Indonezian i tha agjencisë së lajmeve Reuters se autoritetet shpresonin të gjenin kutinë e zezë të hënën.

Ai shtoi se ishte e mundur që aeroplani të ndahej kur goditi ujin, bazuar në mbeturinat e gjetura deri tani.

“Ndoshta u këput kur goditi ujërat sepse nëse do të kishte shpërthyer në ajër, mbeturinat do të shpërndaheshin më gjerësisht,” tha Nurcahyo Utomo.

Hetuesit tashmë janë duke analizuar sende të cilat ata besojnë se janë një rrotë dhe pjesë të tjera të avionit. Një turbinë nga një prej motorëve është gjithashtu mes mbetjeve të gjetura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat